Lulzim Basha ka ironizuar Sali Berishën dhe thirrjet për bashkim nga takimi me të rinj në Elbasan. Sipas tij, demokratët u ndanë nga ‘flamuri i rremë për interesa personale që bëri aleancë me të keqen’. Me këtë i referohet Sali Berishës që futi kandidatët e tij në zgjedhjet e 14 majit me logon e Partisë së Lirisë dhe solli një tjetër disfatë për opozitën.
“Iluzioni se mënyra më e mirë pas daljes në opozitë të PD në 2013 për të qëndruar e për tu rikthyer ishte të ruanim me çdo kusht kompaktësinë e numrave. Kjo në mënyrë thuajse automatike na u kthye në një sëmundje mua dhe bashkëpunëtorëve të mi që për hir të vlerës reale apo të perceptuar, elektorale të një individi të mbyllnim sytë para korrupsionit të atij individi. Kjo do të thotë që në vend që të pastroheshim nga njerëzit që me korrupsionin na shkaktuan kosto imazhi dhe më pas elektorale i mbajtëm aty dhe madje vazhduam t’i kishim dhe në pozita drejtuese nisur nga kalkulime elektorale.
Sot dëgjoni nga mëngjesi në darkë thirrje për bashkim. E para e punës demokratët nuk u ndanë se donin, u ndanë në një flamur të rremë për interesa personale dhe ndarja nuk është parimore në kuptimin që nuk u larguan për parimin. Ne qëndruam për parimin. Tani ata që e ngritën këtë luftë të rreme, e korrën rezultatin e kësaj lufte të rreme. Tani që u kuptua që aleanca me të keqen për hir të numrave nuk pjell asnjëherë dicka të mirë, tani është momenti të kuptojmë që bashkimi nuk mund të vijë si dicka mekanike por rreth vlerave. Besoj se PD është shpresa e vetme për ndryshim në këtë vend. Ne duhet të kemi aleancë kundër korrupsionit”, tha Basha./m.j