Nga Altin Ketro
Një sekretare e Përgjithshme në ministrinë e Shëndetësisë u arrestua për korrupsion. Një ish-kryebashkiak i Durrësit dhe njëkohësisht personazh me ndikim në Partinë Socialiste, zoti Vangjush Dako, u arrestua për shpërdorim detyre. Një ish-kryebashkiak i Durrësit, ish-ministër dhe ish-deputet socialist, zoti Lefter Koka, ndodhet po ashtu në burg. Një ish-deputet tjerër, zoti Alqi Bllako, ndodhet në burg. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, zoti Saimir Tahiri, sapo është liruar me kusht nga burgu.
E vutë re, të gjithë socialistë ata që kanë bërë burg pas reformës në drejtësi. Ndërkohë krahu tjetër i politikës rri e sodit serbes, bile bën edhe komente ironike nëpër rrjetet sociale.
Sikur drejtësia të merrte për bazë ato akuza që Ilir Metaj i ka bërë Sali Berishës nga viti 1992 deri në vitin 2009, Berisha do duhet të ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Sikur drejtësia të merrte për bazë ato akuza që Sali Berisha i ka bërë Ilir Metajt nga viti 2000 deri në vitin 2015, Metaj do duhet të ishte dënuar me 35 vjet burg.
Shumë shqiptarë kanë dashur që politikanët Berisha e Metaj, t’i shohin në burg për aq vite sa meritonin për akuzat penale për krime të rënda që i bënin njëri – tjetrit. Por, duke parë se drejtësia jonë është ende e tulatur përballë këtyre dy personazheve negativ të historisë së demokacisë shqiptare, ata e kanë humbur besimin se kjo do të ndodhë ndonjë ditë.
Këtë javë temë e ditës ishte përse u lirua përpara kohe zoti Tahiri. Personalisht do doja që Sali Berisha mos dënohet aq sa do e meritonte, por veç 2 vjet burg, kurse Ilir Metaj veç 1 vit burg. Mjafton që këto dy personazhe të njihnin regjimin e burgut: Zgjimin, pastrimin, ushqimin, ajrimin, fjetjen në një dhomë me ndonjë kriminel ordiner, urdhrin e policit të shërbimit, etj., etj., kufizime që sjell burgu. Më pas, të dy këta, le të lirohen përpara kohe me kusht pasi të kenë kryer gjysmën e dënimit.
Pasi t’i shihja për kaq pak kohë në burg, ndonëse ata meritojnë shumë më shumë për ato që kanë bërë, do prisja prononcimin e tyre nëse e kanë merituar që të lirohen apo jo përpara kryerjes së plotë të dënimit. Se, kollaj kur ia bëjnë llogaritë tjetrit. Ta provojnë njëherë mbi supet e tyre se çfarë është burgu, e pastaj të kakarisin sa të duan si gjela majë plehut.