Nga Preç Zogaj
Festivalit të thirrjeve, ideve a nismave për bashkim të Partisë Demokratike u mungon Sali Berisha, ai që e ndau kur ndërmori lëvizjen e Foltores në shtator të vitit 2021. Duke qenë një betejë sedre kundër shpalljes non grata nga SHBA, për rrjedhim një betejë sfide ndaj Uashingtonit, ajo e tij s’ka patur asnjë shans që ta bëntë PD-në më të madhe, më të bashkuar dhe fituese.
Kjo mund të ndodhte vetëm nëse politika e madhe, në hapësirën e së cilës ka zgjedhur të jetë Shqipëria, të ishte prishur si e tillë. Por kjo as kishte ndodhur, as ka ndodhur as do të ndodhë. Vetë Berisha, ma mer mendja e ka ditur dhe e di mirë ketë. Thelbësisht, e gjithë narrativa dhe sloganet e tij të lëvizjes së Foltores kanë qenë një spekulim i shumfishtë me kultin e liderit historik që i ka çuar demokratët në pushtet dy herë, me frustrimin e tyre nga humbja në zgjedhjet e vitit 2021, me shkaqet reale të humbjes dhe përgjegjësitë e tij si një ish-lider shumë aktiv që nuk u largua kurrë nga skena qendrore e zhvillimeve në PD, me të treguarit plot kundërthënie, banalizuese për madhështinë e shtetit amerikan, të asaj që i kishte ndodhur- të gjitha këto më një qëllim: të shtonte ndjekës, të merrte përmes PD-së ekskluzivitetin e opozitarizmit në Shqipëri.
Në këtë ravgim, Berisha ka refuzuar çdo propozim a nismë për bashkim të PD-së zyrtare. Së fundi, propozimin për të dalë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatë të përbashkët përmes një marrëveshjeje të drejtë dhe angazhuese të dy grupimeve, duke mbështetur kandidatët e primareve në shumicën e bashkive dhe një pakicë kandidatësh të PD-së zyrtare. Në hesapet e Berishës ky propozim, megjithë avantazhet që u krijonte në terren kandidatëve, e linte pezull me sa duket çështjen e nxehtë të domenit ndaj partisë. Ndërkohë që ai donte të zgjidhte këtë problem të parin. Në fakt, dalja e PD-së me dy-tre përqind, siç paralajmëronin kasandrat kundër saj, dhe një rezultat i mirë i “Bashkimit për fitore” do ta kishte zhdukur me votë problemin e domenit.
Mirëpo, siç pritej dhe me keq se sa pritej, si për të provuar se oreksi i madh të lë pa gjë, në zgjedhjet e 14 majit Rithemelimi konsumoi premtimin e fitores me një humbje shumë të thellë. Ndërsa PD zytare nuk u zhduk. Falë fushatës së Enkelejd Alibejt, shtabit të tij, drejtuesëve e aktivistëve të saj në rrethe, PD shënoi në kushte shumë të vështira një rrezultat në përputhje me objektivin e mbijetesës dhe rinisjes.
Këtu jemi tani. Koha nuk pret për PD-në që zvarritet prej më shumë se një viti tashmë pa drejtues legjitimë, me forume të gjymtuara që kanë humbur korumin që i ka zgjedhur. Ndërkohë po diskutohet për bashkim. Shumë mirë. Bashkimi do të krijonte premisa për të synuar marrjen e elektoratit gri apo abstenues, pa të cilin PD, kështu siç është, nuk fiton as e bashkuar.
Pyetja që ngrihet është: a ka Berisha në realitetetin postzgjedhor të 14 marsit, ndonjë propozim a lëvizje që do t’i hapte rrugën bashkimit të PD-së? Në përgjigje të një pyetjeje të tillë në një televizion kombëtar, ai tha se kishte ide, por nuk kishte një projekt. Mirë do të ishte t’i ndante me demokratët idetë që ka. Nëse janë të reja, nëse reflektojnë verdiktin e zgjedhjeve të 14 majit. Në të kundërtën, nëse vazhdon të jetë i burgosur në konceptin e tij të bashkimit si asimilim të grupit të PD-së zyrtare, si kthim të penduarish të cilëve do t’u hapet dera, e gjithë kjo duke injoruar arsyen që ka krijuar vijën ndarëse, s’ka përse konsumohet. Bashkimi në izolim ndërkombëtar nuk është opsion.
Një gjë është evidente në këtë periudhë të rikthimit në shumë aula të refrenit “bashkim”: që bashkimi të mos jetë një parullë sa për të qenë brenda, i pari që duhet të flasë duhet të jetë Berisha. Ai që e ka krijuar ndarjen, ai e ka në dorë ta eleminojë. A ka ai ndërmend të bëjë një hap prapa? Për momentin nuk ka shenja. Në këto kushte, të flasësh e të investohesh për bashkim pa e ditur çfarë ka në mendje kreu i grupit të madh përballë, do të thotë t’i bësh hesapet pa hanxhinë, siç thotë populli. Ndërsa ta dish se ai nuk ka lëvizur as pas rezultatit pa precedent të 14 majit nga konceptimi i bashkimit si asimilim i palës që është përcaktuar në kuvendin e saj të 18 dhjetorit si parti e busullës euroatlantike, do të thotë të kesh hequr dorë ti nga bindja se nuk fitohet me SHBA dhe Perendimin kundër. Nuk është tragjedi. Në lëvizjet e deputetëve të listës brenda përbrenda opozitës kjo nuk ka më rëndësinë e deridjeshme dhe as ndonjë perspektive të re. Bashkimet mekanike apo konjukturale për interesa personale nuk i bëjnë punë as Rithemelimit, as Berishës, as opozitës. Numri i zgjedhësve demokratë që nuk marrin pjesë në zgjedhje nga dyqind e ca mijë që ishte në 14 maj, vetëm do të rritej. Ndaj imperativi i kësaj kohe sa i takon PD-së është riorganzimi i saj, zgjedhja e kryetarit dhe forumeve drejtuese, rinisja e saj me një mendje të re.