Një megaoperacion i autoriteteve italiane, gjermane dhe belge ka çuar në pranga disa trafikantë shqiptarë të përfshirë në një mega trafik droge në Europë, si dhe në bashkëpunimin e tyre me klanet mafioze kalabreze, “Ndrangheta”.
Mes 25 urdhër-arresteve të lëshuara me urdhër të Prokurorisë italiane, pjesa më e madhe janë shqiptarë me banim në Belgjikë, mes tyre edhe Fisnik Smajlaj, i shpallur në kërkim që prej vitit 2008.
Mediat italiane shkruajnë se lokali i këtij të fundit “Dino” në Frankfurt, Gjermani ishte kthyer në një bazë të mafies kalabreze, “Ndrangheta” dhe veprimtarisë së tyre kriminale.
Në lokalin në pronësi të shqiptarit kopsiteshin pazaret e kokainës mes trafikantëve. Policia gjermane ka përgjuar një takim që kishte për objekt blerjen e 50 kilogramëve kokainë, e cila nga Amerika e Jugut kishte mbërritur në Gjermani dhe më në fund do trafikohej në Itali për t’u shitur me doza./m.j