Nga Arbi Kasapi
Ka rreth dy javë që reforma në drejtësi është braktisur dhe kronikat e lajmeve për të janë tkurrur. Java politike e fundshkurtit është marrë me amendimin e një ligji në letër deri tani (dekriminalizimin), Armando Prengën dhe me luftën e ftohtë mes Kryeministrit dhe Presidentit. Ky i pari, për ta përvijuar paksa, ka preferuar të dërgojë Zv. Kryeministrin Peleshi në betimin e dy Ministrave të rinj.
Të gjitha këto “ndodhi” kanë mpiksur entuziazmin përkarshi Reformës, procesit që pret edhe Komisionin e Venecias, opinioni i të cilit do të jetë përsëri një tablo që gjithkush do ta quajë “Bibël” por që, përsëri, do të interpretohet në një seri këndesh.
Logjika afatshkurtër që ofron peisazhi mediatik shqiptar, i diktuar nga të bërit politikë me deklarata, ka “ngrirë” në një fjalim të Ish Kryeministrit, i cili paralajmëroi për largim nga parlamenti. Por mesa duket një hapësirë interpretimi u bë shkas që në “celuloidin” e medias, historia të “ngecte” tek mundësia që Sali Berisha mund të dorëzojë mandatin e tij si deputet.
Një element i harruar i së enjtes që lamë pas ishte edhe një mbledhje e beftë e grupit parlamentar demokrat, fill pas fjalës së Berishës. Mesa duket kryetari i PD-së ishte duke e ndjekur parlamentin, fill pas bujës së “kapjes” së vezëve në doganën e gardës, në hyrje të parlamentit.
Në këto kushte, përroi i opozitës vazhdon të jetë i ndarë në dy degë kryesore. Në atë të burrit që ka dëshirë përherë të përdorë çekiçin më të rëndë që situata të ofron dhe në atë që shpesh herë nuk di sesi ta përdorë një çekiç, për të krijuar një kauzë legjitime që çon përpara opozitën.
Për shumëkënd që qëndron në kampe që ndodhen larg opozitës, kjo është një formë e qëllimtë për të ndaluar procesin e reformës. Për maxhorancën dhe veçanërisht për PS-në, “lëvizja” e PD-së në parlament është një shenjë që tregon se të djathtët nuk e duan reformën, pasi me të, dallga do të marrë me vete oficerë dhe drejtues të lartë të saj. Deri këtu bën sens, por dalë nga kampi politik i majtë, bën më shumë logjikë të thuash se, është në interes të maxhorancës, që PD-ja dhe opozita në tërësi nuk e duan reformën në drejtësi. Këtu ka një diferencë jo të vogël dhe për më tepër, mungesa e një vektori dhe një kahu të shtrirë në kohë kur vjen fjala për oponencë dhe opozitë, e bën këtë të fundit gjah të lehtë për akuza.
Dy degët e një përroi të vogël oponence janë shenjë e qartë, që përtej leximit në interes të një segmenti politik, të tregojnë se vëmendja e shtuar në detaje si Armando Prenga, mbetet një teatër i mirë për të maskuar një Kauzë opozitare, ingranazhet e së cilës ngecin vazhdimisht dhe presin suplemente vaji. Problemi është se suplemente këto kohë nuk ka patur dhe opozita e ka të vështirë të krijojë oponencë.
E ç’ lidhje kanë këto me reformën në drejtësi?
Pyetjes se kush e do reformën në drejtësi është e kollajtë t’i përgjigjesh. Atë e duan qytetarët. Pyetjes se kush nuk e do reformën në drejtësi nuk është e kollajtë t’i përgjigjesh. Teorikisht atë nuk e duan ata që preken drejtpërdrejt prej saj. Por një logjikë e thjeshtë shkak pasojë dhe me sens matematik nuk gjen përherë zgjidhje në politikë. Në këtë lojë dy plus dy që bëjnë pesë mund të jetë më e vërtetë se katër…
Parë në një këndvështrim historik, reforma në drejtësi kërkohet nga ata që duan dhe aspirojnë ndryshimin apo që kuptojnë se pa të nuk mund të ndryshohet për mirë.
Në rastin e Shqipërisë, agjenti që po ndërmjetëson këtë nevojë historike është SHBA. Kjo e fundit ka kryer një presion të jashtëzakonshëm për ta bërë procesin një DUHET, në rradhë të parë një imperativ… Trysnia deri më tani ka funksionuar dhe ka përplasur jo pak herë nëpër cepat e ringut aktorë të ndryshëm të politikës.
Por ndryshe ndodh në diskurin dhe qasjen që aktorët politikë i bëjnë reformës… rezultatin e saj e shohim në atë që bëhet lajm dhe informacion i ditës në edicionet televizive e më tutje.
Pyetjes drejtuar politikës, se kush e do reformën në drejtësi, historia e ka treguar shpesh herë se, e do ai që arrin të dalë në krye të saj për të përfituar kapital dhe pushtet.
Në këtë linjë gjykimi, është shumë e vështirë të besosh se KA në të vërtetë, një forcë politike apo një lider politik që NUK e do reformën… sepse realisht nuk ka, të gjithë e duan. Problemi është që të gjithë e duan për vete, madje edhe me koston e lartë se arsyeja se përse po bëhet dhe në emër të kujt, në fund të dështojë.