Ledi Shamku Shkreli, dikur deputete e Partisë Socialiste, ka zgjedhur që në zgjedhjet e kaluara lokale të 14 majit të ndihmojë PD-në. Kjo pasi kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçin është i fejuari i vajzës së saj, Anës.
E ftuar në “ABC News”, ajo ka treguar se e ka mbështetur Këlliçin pasi ka besuar te natyra dhe vizioni i tij, por dhe sepse kanë shumë ngjashmëri në idetë për emancipimin e vendit. Por gjithashtu ka shtuar se edhe pse ka bindje të majta, kjo gjë nuk ka ndikuar në marrëdhënien e saj me Këlliçin.
“Ka pasur mbështetjen time në garë, sepse unë kam besuar te ndershmëria e tij. Unë e njoh dhe sidomos kam besuar te natyra e tij demokratike. Në këtë pikë ngjajmë shumë, por ndoshta nga që jemi tirons. Bëj shaka. Është një djalë i shkolluar shumë mirë, shumë modern në vizionet e veta dhe kam ndjekur me vëmendje çdo ofertë të tij. Janë të gjitha oferta që i vlejnë qytetit dhe bashkësisë së qytetit. Kështu që në një far mënyre, unë mbështes dhe nuk shoh anë. Kemi diskutuar shpesh, ai nuk ka nevojë për mua.
Nuk besoj se jemi në kushte që të kritikojmë njëri-tjetrin. Ne jemi shokë shpeshherë në biseda dhe bisedat tona kanë qene gjithmonë, sa i takon se sa bashkësi ka ky qytet, sa gjithëpërfshirje ka ky qytet, sa heterogjinitet ka ky qytet, cili është roli i gruas në vizionin e tij politikë. Jam gëzuar shumë kur e kam parë që është shumë i emancipuar në këtë pikë dhe cili është roli i më të dobëtit në këtë qytet, i pakicave, i minoritetit, i njerzve të pamundur etj.
Kur unë jam futur në politikë, slogani i kryeministrit tim ka qene ‘Përtej të majtës dhe të djathtës’, nëse e mban mend? Unë këtij slogani i kam besuar përherë dhe vazhdoj t’i besoj që në këtë vend e mira publike dhe sidomos demokracia rri përtej të majtës dhe të djathtës,”-u shpreh në fjalën e saj, Shamku./m.j