Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit pas situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Përmes një shkrimi, Haradinaj shprehet se qeverisja e Kurtit në tre vite ka bërë që Kosova të kthehet dhjetë vite pas, ndërsa shton se përjashtimi nga “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë nacionale.
“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa.
Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike”, shkruan ai.
Ai thekson se Kosova është shtet properëndimor, ndaj qeverisja e Albin Kurtit nuk mund ta zhbëjë këtë dhe të mund të ndryshojë orientimin e vendit.
Haradinaj thekson se shtetet investojnë në krijimin e aleancave, të cilat sipas tij Kurti po i rrëzon.
Sipas Haradinajt, dorëheqja e Kurtit është e mira e vetme që ai mund t’i bëjë Kosovës.
“Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë.
Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj.
Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot”, thekson ai.
Kosova u përjashtua nga Defender Europe 2023, ndërsa SHBA thekson se kjo është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, me argumentin se ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri./m.j
Hike ore ti je kokrra e injorantit,ty te falet deri diku je nji person pa arsimin perkates,ju jeni me diploma fadhso,per kyt ske nivel ti krahasohesh me Z Kurti.