Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, është goditur të enjten nga sulmet ajrore ruse, për të nëntën herë këtë muaj. Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve raketore në Odesa, qytetin port në Detin e Zi, kanë thënë zyrtarët, raporton BBC.
Shpërthimet janë dëgjuar edhe në disa qendra rajonale, si në Vinitsia, Kmelnitski dhe Zhitomir. Administrata ushtarake e Kievit ka thënë se informacionet preliminare tregojnë se të gjitha raketat e nisura, janë shkatërruar.
Të martën, Ukraina ka thënë se i ka rrëzuar gjashtë raketa hipersonike Kinzhal, në kuadër të sulmeve “intensive”. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha të martën se një zjarr kishte shpërthyer në një garazh në zonën Darnytsya të Kievit, por shtoi se askush nuk ishte lënduar.
Kreu i administratës ushtarake civile të Kievit tha se një sulm i rëndë me raketa ishte nisur nga bombarduesit strategjikë rusë mbi detin Kaspik. Zyrtarët perëndimorë besojnë se ushtria e Ukrainës ka një gjendje të konsiderueshme gatishmërie për të nisur kundërofensivë ndaj forcave ruse.
Zyrtarët kanë thënë se ushtria e Kievit tani ka kapacitet për manovrim të tankeve, të pajisjeve luftarake, ka inxhinierë të rinj në fushëbetejë, mund të pastrojë territoret nga minat, të ndërtojë ura të përkohshme për të kaluar lumenjtë dhe për të shënjestruar targete në distanca të gjata.
/a.r