Nga Dritan Hila
Sali Berisha ka deklaruar vjedhjen e zgjedhjeve. Natyrisht nuk ka forcë të deklarojë mosnjohjen e tyre pasi asnjë nga kryetarët e zgjedhur nuk do ta dëgjonte. Edhe nëse e dëgjonte, Edi Ramës nuk i prish punë pasi i zëvendëson menjëherë me administratorë. Të gjithë bashkë administrojnë 50 mijë banorë që rezultojnë në gjendjen civile.
Politikanë të së djathtës po i kërkojnë dorëheqjen, së bashku me disa nga shoqëria civile.
Këtë lojë bëjnë mirë t’ia kursejnë vetes.
Zgjedhjet natyrisht që nuk u vodhën dhe këtë e di edhe Sali Berisha. Natyrisht që Saliu do t’i deklaronte të vjedhura pasi është e vetmja alibi që të mbajë partinë dhe të ketë një farë legjitimiteti formal. Kjo tezë iu duhet edhe ndjekësve të tij sikurse edhe ushtarëve të tij mediatikë, pasi nuk kanë argument tjetër që të rrinë në treg. Madje këta të fundit kanë krijuar tezën zbavitëse se janë votuar nga 40% e elektoratit. Në fakt duhet të jenë të mërzitur pasi herën e shkuar llogaritën 85%, ku futën edhe 50% që janë jashtë dhe nuk votojnë kurrë.
Saliu nuk e lëshon partinë pasi nuk e ka bërë që ta dorëzojë; nuk e lëshon sepse nuk ka kujt t’ia lëshojë pasi nuk ka një talent me mendim politik në radhët e tij përveçse ca kopjeve të këqija të tij. Mendoni që mund t’ia lërë Spahos, Këlliçit, Nokës, apo kujtdo qoftë?!
Nuk e lëshon jo sepse ka frikë mos i bëjnë gjë amerikanët pasi nëse ata do ia vënë syrin ta qërojnë, nuk e mbron dot një tufë kaçakësh; sikurse nuk e mban se ka shpresë të fitojë. E mban sepse partia është një biznes shumë i mirë edhe ekonomik dhe një e kaluar kohe fitimprurëse në vend se të luajë domino në lagje, pasi shokët ose i kanë vdekur ose i ka vdekur.
Kështu që lëreni rehat atë dhe publikun. Tashmë Foltorja dhe Partia e Lirisë janë thjesht biznese me person fizik ku 100% të aksioneve i kanë edhe titullarët. Si në çdo biznes të falimentuar, të tjerët janë ose kushërinj të punësuar sa për një rrogë ose nëpunës pa status. Saliu dhe Meta do rrinë në ato parti derisa të vdesin edhe sikur mos të prodhojnë qoftë edhe një deputet. Sepse tashmë nuk bëjnë për asnjë punë tjetër: Saliu as për sanitar spitali dhe Meta as për llogaritar.