Nga Ilir Yzeiri
Këto ditë janë dy ngjarje që meritojnë vëmendje për nga imazhi që kanë prodhuar përballë botës. E kam fjalën për këngën që mori pjesë në « Eurovizion 2023 » me titullin « Duje » dhe me qëndrimin e Athinës zyrtare ndaj arrestimit të kandidatit të koalicionit Meta- Berisha, Fredi Beleri. Ngjarja e parë, kënga « Duje » ishte mundësia që në festivalin europian të këngës ne të paraqisnim një anë tonën, që, në një farë mënyre, të na identifikonte të gjithëve si komb.
Të mos harrojmë që veçanërisht në muzikë, yjet nga Kosova si Dua Lipa apo Rita Ora janë fenomene që kanë shtangur botën dhe njihen gjerësisht. Të gjithë do të kishim dashur që komentatorët e festivalit, sidomos ata të vendeve të tjera jo ata zyrtarë tw festivalit, të kujtoheshin se familja Kelmendi, fjala vjen, apo këngëtaret shqiptare vijnë nga vendi i atyre këngëtareve të shquara që përmenda. Mirëpo ndodhi krejt e kundërta. Të gjitha këngët që ata analizonin, por edhe që ne pamë, ndërtoheshin mbi mesazhe krejtësisht perëndimore që kishin në qendër lirinë e njeriut. Kënga jonë kishte një tekst që askush nuk e mori vesh.
Madje dikush në rrjetet sociale tallej e thoshte kjo është e vetmja këngë që pranon dhunën në familje përmes dashurisë së imponuar në një botë ku të drejtat e njeriut dhe divorci çmohen si një arritje e jashtëzakonshme, sidomos për lirinë e femrës. Kulti i familjes patriarkale me justifikime nga Nënë Tereza, jo vetëm ishte naiv, por edhe retrograd. Ndërsa patosi i këngëtares që kalonte në akute qesharake me fjalën « Duje » në vend që të të emociononte bënte efektin e kundërt. Në sytë e europianëve ne çuam një këngë që ndërtohej mbi kultin e familjes patriarkale dhe një klithmë therëse kundër divorcit. U shfaqëm pra si provincialët e Europës.
Në anën tjetër, qëndrimi zyrtar i Greqisë ndaj arrestimit të Belerit ishte jo vetëm fyes, por ai tregonte ose hidhte në erë marrëdhëniet e dy vendeve dhe retorika e tyre për progresin që ka bërë Shqipëria në lëmin e demokracisë vihej në pikëpyetje. Greqia zyrtare ende nuk arrin ta pranojë ekzistencën e një shteti që po bën përpjekje të modernizohet, që të ndërtojë institucione të pavaruara.
Reforma në drejtësi që ka shkallmuar gjithë sistemin e vjetër dhe të kapur politikisht dhe të korruptuar, po ashtu, është një arritje e duartrokitur nga të gjitha institucionet europiane dhe SHBA-të veçanërisht, por Greqia harron se është pjesë e BE-së që të sillet si europiane dhe jo t’i ndërtojë politikat e saj me Shqipërinë me frymëzimin paternalist dhe t’i japë vetes të drejtë që qytetarët shqiptarë me kombësi greke t’i shohë si njerëz që, në emër të helenizmit, të bëjnë ç’të duan dhe të shkelin ligjin.
Për Greqinë drejtësia akoma varet nga qeveria dhe në deklaratat e saj nuk përfillen insitucionet e pavaruara që janë ndërtuar me shumë mund në vendin tonë. Kjo qasje e shtetit grek ndaj arrestimit të Belerit reflekton, për fat të keq, anën e errët të politikës greke, atë që, në mënyrë diskrete, vjen nga frymëzimi i « Idesë së Madhe » dhe artikulon kështu tezat regresive për trajtim jo të barabartë të pakicave greke në Shqipëri.
Siç shihet, ne vetë i paraqesim botës në një manifestim botëror imazhin konservator të një muzike që me patetizëm sfidon divorcin, këtë liri të madhe që kanë arritur gratë dhe në anën tjetër, edhe të tjerët si Greqia, në këtë rast, na shohin ende si një vend që nuk jemi reformuar dhe na urdhërojnë duke na thënë që qyterarët shqiptarë me origjinë greke mund të bëjnë ç’të duan dhe ju nuk mund t’i arrestoni. Nëse i arrestoni atëhere mbani përgjegjësi ju si shtet sepse për ta nuk ekziston sistemi i drejtësisë në një vend që edhe ata vetë e kanë promovuar si shtet që ka bërë reforma substanciale demokratike.