Arkitekti Arben Biçoku shpjegon për JAVAnews nëse Tirana është duke ecur në drejtimin e duhur. Çfarë ka sjellë plani i ri dhe çfarë duhet të bëhet, që Tirana të jetë qytet realisht i jetueshëm?! Ai bgjen argument edhe si vizioneve etatiste të politikës njerëzit u janë përgjigjur me neglizhim total dhe pse nuk na ka funksionuar kontrata sociale…sa i përket ndërtimeve
Nga Ben Andoni
Arkitekti Arben Biçoku mendon se Shqipëria dhe Tirana është duke e vuajtur paq ligjin 7501, por nga ana tjetër mendon se Bashkia e kryeqytetit ka nevojë për kohë, që të tregojë veten. Me Reformën Administrative, kufijtë e asaj që quhet Bashkia e Tiranës sot kanë ndryshuar, duke përfshirë një territor shumë më të gjerë, nga ish komunat kufitare. Kjo gjë krijon premisa për një këndvështrim më të saktë dhe më të gjerë të hapësirës dhe koncepteve mbi të. Për të plani rregullues është pozitiv. “Ai është ligjor dhe funksional. Unë po kujtoj që pak ditë më parë ka pasur disa prononcime të Ministres së Zhvillimit Urban, zonjës Eglantina Gjermeni, e cila ka sqaruar që është hequr bllokimi për dhënien e lejeve të ndërtimit, dhe i bën thirrje kryetarëve të bashkive që të japin leje ndërtimi. U është drejtuar edhe me letër, dhe e ka shpjeguar disa herë edhe në TV. Ndërkohë sipas meje që nga momenti që qeveria bëri bllokimin e lejeve, e deri tani, nuk më duket se ka ndryshuar gje. Pra çbllokimi tregon sipas meje që vetë bllokimi ka qënë i gabuar”. Për arkitektin e njohur, dhe pjesë e procesit të Planit Rregulles, administrimi i deri sotëm i jetës publike ka qenë tepër etatist, ndërsa duhej të ishte më liberal. Por të mos harrojmë nga ana tjetër se nga ana tjetër edhe sjellja e njerëzve në raport me rregullin dhe ligjin ka qenë tepër abuziv.Për këtë mjafton deklarata e ALUIZNIT ku sasia e deklarimeve për ndërtime të paligjshme e që kërkojnë të legalizohen është e rendit rreth 430000 objekte. Vetëm me këtë shifër drithërohesh… Ndaj, në finale besoj se ne shqiptarët kemi shumë gjera për të rregulluar mes vedit, përfundon ai.
Pse është e pamundur që Tirana, si qytet, të ketë një kushtetutë të vetën urbanistike…Çfarë e pengon? Kur ka funksionuar më mirë konform një rregullore të tillë, në historinë e vet…
Unë nuk mendoj se kjo është një gjë e pamundur. Përkundrazi kjo është një gjë e mundur si dhe e domosdoshme.
Unë kujtoj se Tirana (qytet) ka në fuqi sot një Plan të Përgjithshem Vendor, të miratuar në përputhje me ligjin, dhe funksional (i miratuar në vitin 2013). Ky plan gjithashtu është i pajisur me rregulloren e tij përkatëse. Është një produk shqiptar i bërë përmes konsultimeve me grupe të gjera interesi.
Unë personalisht kam qenë kritik me aspekte të caktuara të këtij plani që për mua ose nuk janë të arritura ose nuk janë të zgjidhura fare në një kohe që do duhej të ishin zgjidhur, por ky është një diskutim tjetër. Sot plani është ligjor dhe është në fuqi.
Ndërkohë ajo që ka ndodhur është që me reformën administrative kufijtë e asaj që quhet Bashkia e Tiranës sot kanë ndryshuar, duke përfshirë një territor shumë më të gjerë, nga ish komunat kufitare. Kjo gjë krijon premisa për një këndvështrim më të saktë dhe më të gjerë.
Pamë një prezantim të organizuar nga Bashkia e Tiranës ku u shpalosën vizionet se si mendohet plani i ri. Kjo punë zhvillohet nga dy studio të huaja projektimi, dhe nga njësia projektuese e Bashkisë së Tiranës (pra është punë e tre studiove), dhe udhëhiqet nga arkitekti italian Stefano Boeri. Përgjithësisht në terma profesionalë ajo çka u prezantua mu duk e drejtë.
Ndërkohe unë mendoj që problemi nuk qëndron dhe aq tek planet se sa tek çfarë ndodh në praktikë.
Do donja të përmendja dy difekte të së shkuarës (pasi për administratën e sotme të Bashkisë është herët të shprehemi):
1. Administrimi i deri sotëm i jetës publike ka qenë tepër etatist. Në vizionin tim do duhej të kishte qenë më liberal.
2. Sjellja e njerëzve në raport me rregullin dhe ligjin ka qenë tepër abuzive (boll të kujtojme që sipas ALUIZNIT sasia e deklarimeve tek ta për ndërtime të paligjshme që kërkojnë të legalizohen është e rendit rreth 430000 objekte).
Pra vizioneve etatiste të politikës njerëzit u janë përgjigjur me neglizhim total. Pra ne nuk na ka funksionuar kontrata sociale.
Ç‘do duhet të bëjmë? Unë mendoj se krejt shoqëria shqiptare është në një përsiatje për të reformuar dhe rregulluar krejt sistemin, filluar nga kushtetuta, nga ndarja e pushteteve, reforma në sistemin gjyqësor, rregullimi i moralitetit në politikë dhe largimi i personave me rekorde kriminale, etj. Por të mos harrojmë që u deshën energji dhe për t’u ngulitur njerëzve rregullin që kur harxhon energji elektrike duhet edhe ta paguash dhe jo ta vjedhësh.
Të mos harrojmë që kapitalizmi në Shqipëri nisi me hapin e gabuar, me Ligjin 7501, pasojat e të cilit nuk imagjinohet dot ende nëse do arrijnë të riparohen ndonjëherë.
Dhe kur ka funksionuar më në rregull raporti i njerëzve me rregullin urbanistik?
“Realisht e kam të vështirë t’i përgjigjem. Në këto 25 vjet të tranzicionit kam parë situatë mjaft kaotike. Sistemit komunist, që në çdo gje ishte i dhunshëm (sigurisht edhe në këtë temë) unë as do donja fare t’i referohesha. Unë besoj se ende jemi duke paguar faturë që na vjen nga eksperimenti i sistemit komunist (qoftë dhe për faktin që komunizmi u zëvendësua me Ekonominë e Tregut sipas platformës së Katovicës).
Mbase periudha 1924-1939 mund të ketë qenë një periudhë më normale. Por duke qenë një periudhë e largët, dhe që nuk e kam jetuar por e njoh thjesht përmes studimit historik përsëri e kam të vështirë ta klasifikoj që ka qënë ideale.
Në finale besoj se ne shqiptarët kemi shumë gjera për të rregulluar mes vedit.
Por ama unë mendoj se shqiptarë të mençur dhe që dinë t’i bëjnë gjërat në mënyren e duhur ka. Njoh plot të tillë. Veç shpjegoj se këta nuk janë ata që administrojnë sot jetën publike”.
Si është në ditët që jetojmë realiteti i planit rregullues së Tiranës. Flitet shumë herë, por njerëzit janë konfuzë, nëse Tirana e ka apo jo një plan të tillë?
Edhe z.Biçoku e vërtetoi se bllokimi,mos dhënia e lejeve të ndërtimit ishte gabim i madh i vendimmarrësve të ri. Për këtë çështje kisha reaguar në atë kohë si veprim i pa pranueshëm,në një vend me mijëra arkitekt dhe urbanistë.