Nga Artan Hoxha
Të shohësh dy ish-president dhe dy ish-kryeministra të Republikës së Shqipërisë, fillimisht të kandidojnë, më pas të mbështesin një nga autorët e dyshuar të “Masakrës së Peshkëpisë”, dhe sot ta mbrojnë Fredi Bejlerin, që shpalli haptazi, se do të “ringjalle helenizmin” në një territor mijëravjeçar tërësisht shqiptar, është e turpshme…
Por mesa duket, Berisha e ka ngrënë turpin me bukë, edhe pse i kanë marrë peng një repart ushtarak me 130 ushtarë, i kanë masakruar komandantin e repartit Fatmir Shehu dhe ushtarin në vendroje Arsen Gjini, i kanë grabitur armatimin e Ushtrisë Shqiptare, ai sërish jo vetëm e kandidon si përfaqësues të tij, por e mbron sikur Bejleri të ishte Çerçiz Topulli.
Zotërinj ish-president dhe ish-kryeministra të vendit tim, sot drejtues të opozitës shqiptare, Fredi Bejleri duhej të ishte në burg prej shumë vitesh, ndoshta prej fund-shekullit të kaluar, i ndëshkuar dhe dënuar për dhunimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, për vrasjen e dy “Dëshmorëve të Atdheut”.
Shoqërimi dhe ndalimi i Bejlerit, 29 vite nga “Masakra e Peshkëpisë” për shit-blerje votash është një “ledhatim”.
Ndërsa për politikanët tanë pseudopatriotë që, sot dalin në mbrojtje të një ekstremisti të tërbuar antishqiptar, është një faqe e zezë.