Është shoqëruar rreth orës 00:15 në brendësi të restorantit të tij në Himarë kandidati për bashkinë i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Beleri. Belerin e kanë shoqëruar dy persona të paidentifikuar me forcë në drejtim të komisariatit Himarë dhe me pas mësohet se është dërguar drejt Vlorës. Bashkë me të janë shoqëruar avokati i tij personal, Bledi Dumani, një pjesëtar i stafit të punës si dhe një person i rastësishëm. Personi që bën pjesë në shtabin e Fredi Belerit i shoqëruar me probleme në zemër, teksa pas disa orësh nga shoqërimi i tij në polici është thirrur ambulanca që e ka marrë e ka çuar drejt spitalit pasi ka shfaqur probleme të rënduara të zemrës.
Pas tre orësh nga shoqërimi është liruar avokati personal i Fredi Belerit si dhe personi rastësishëm të cilët nuk janë informuar përse janë shoqëruar. Gjithashtu prej orësh vijon të mbetet në qeli kandidati Beleri, ndërsa në ambientet e spitalit po mbahet në monitorim shëndetësor anëtari i grupit të punës elektorale pasi problemet në zemër janë rënduar edhe më tepër.
Në komisariatin e Himarës Belerin e kanë pritur simpatizantë teksa bashkë me ta ka qenë edhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule. Në fjalën e tij për media zoti Dule e quan sulm të pastër politik dhe bënë thirrje që të tilla tentativë për pengimin e procesit elektoral të ndalen Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit orkestruar enkas nga kryeministri Rama.
/a.r