Apeli i Gjykatës së Posaçme ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros një vilë në Lalëz e një në Palasë. Vilat në fjalë janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Kujtojmë se gjatë marsit, pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj.
Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.
Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt.
Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK në 8 mars.
Burime pranë SPAK, bënë me dije se masa e sekuestros u kërkua pas dyshimeve se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme.
Vendimi i Gjykatës:
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari DhimitĽr Lara, sot më datë 26.04.2023, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 70 akti, datë 12.04.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit E.H., E.D., kundër vendimit nr. 137 datë 23.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka disponuar mbi caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasuritë e paluajtshme.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 137, datë 23.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ankuesit znj. EH. Dhe znj. E.D.
/s.f