Kompania “British American Tobacco” do të paguajë një gjobë 635 milionë dollarëshe plus interesat tek autoritetet amerikane, pasi një degë e saj pranoi se ka shitur cigare në Korenë e Veriut duke shkelur sanksionet ndaj këtij vendi.
Sipas të dhënave, autoritetet amerikane dhe kompania gjigante e duhanit arritën një marrëveshje në lidhje me aktivitetin e saj në Penian mes viteve 2007 dhe 2017.
Kreu i “British American Tobacco”, Jack Bowles shprehu keqardhje për këtë aktivitet që ishte në shkelje të sanksioneve të ashpra që SHBA kishte vendosur ndaj Koresë së Veriut për programin e saj bërthamor dhe balistik.
Marrëveshja e arritur të martën ishte pas një takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të kompanisë, Departamentit të Drejtësisë dhe Zyrës së Departamentit të Thesarit për Asetet e Huaja.
“British American Tobacco” është një nga kompanitë shumëkombëshe më të mëdha të duhanit në botë dhe një nga 10 kompanitë më të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo zotëron markat kryesore të cigareve duke përfshirë Lucky Strike, Dunhill dhe Pall Mall.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, njihet si një duhanpirës i thekur. Vitin e kaluar, SHBA-të u përpoqën të detyronin Këshillin e Sigurimit të OKB-së të ndalonte eksportet e duhanit në Korenë e Veriut, por kjo gjë u ndalua me veto nga Rusia dhe Kina.
/a.r