“Lufta” personale mes Shakirës dhe Gerard Pique duket se nuk do të përfundojë kurrë. Kësaj radhe ka qenë këngëtarja kolumbiane ajo që ka shfrytëzuar rrjetet e saj sociale për t’iu bashkuar trendit të Barbie.
Kur u publikua traileri i parë zyrtar i filmit Barbie, në rrjetet sociale u shfaq një trend që konsiston në faktin se çdo person mund të bëjë posterin e tij dhe të bëhet protagonist i filmit. Kësaj tendence i janë bashkuar përdorues të shumtë si dhe disa personalitete të njohura të muzikës apo aktrimit.
Shakira u bë një Barbie e vërtetë dhe shfrytëzoi rastin për të ‘kujtuar’ ish-partnerin e saj, i cili ndodhet me pushime romantike në Abu Dhabi si pjesë e një dhurate për të dashurën e tij, Clara Chia Marti.
Këngëtarja ka postuar foto në Instastory ku shfaqet si Barbie. Në të parën, ajo shkruan “Kjo Barbie është krenare që është Latino-Amerikane”, së bashku me këngën e saj TQG, një thumb për Pique, i cili në një intervistë ka përmendur faktin që Shakira është latino-amerikane.
Në postimin e saj të dytë, Shakira ndau mbishkrimin “Kjo Barbie nuk është në nivelin tuaj”, në atë që duket një referencë e qartë për Kings League, kompeticionin e futbollit të krijuar nga ish-i i saj. Me në sfond këngën Music Session #53 që ajo krijoi me Bizarrap dhe që ishte një hit për aludimet për ish-in dhe të dashurën e tij, Clara Chia.