Dritan Abazoviç i kërkon presidentit të sapozgjedhur Jakov Milatoviç të anulojë vendimin për zgjedhjet e parakohshme. Ai thotë se data e zgjedhjeve duhet të vendoset në konsultim me të gjithë aktorët politikë.
Kryeministri në detyrë në Malin e Zi, Dritan Abazoviç i kërkon presidentit të sapozgjedhur Jakov Milatoviç të anulojë dekretin e paraardhësit të tij për zgjedhjet e parakohshme.
Në një intervistë televizive, Abazoviç thotë se Milatoviç duhet të mbledhë të gjithë aktorët politikë dhe së bashku të përcaktojnë datën e re të zgjedhjeve.
“Mund të jetë në fund të qershorit, para sezonit. Çështja, është se presidenti legjitim dhe deputetët legjitimë mund të përcaktojnë bashkërisht datën e zgjedhjeve. Nuk mendoj se është mirë që Gjukanoviç të shkarkojë deputetë kështu, është e papranueshme”- tha Abazoviç.
Ish presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, pas miratimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në datën 11 qershor.
Mali i Zi prej disa muajsh është në krizë institucionale, pas rënies së qeverisë Abazovic me mocion mosbesimi që nisi për shkak të përplasjes për kompetencat që iu lanë Kishës Serbe.
/s.f