Qeveria ka gati draftligjin për të ligjëruar bastet online, por kjo nisëm shihet me skepticizëm nga ekspertët e fushës, pasi nuk pritet që të shmangë informalitetin.
Drafti parashikon se çdo lojtar mbi 21 vjeç, do të duhet të hapë një llogari bankare, nëpërmjet të cilës do të luajë dhe do të tërheqë fitimet. Por a do të nxiten qytetarët, për t’u evidentuar, teksa shumë prej tyre luajnë larg syrit të familjarëve.
“Çdo qytetarë në Konispol apo në Tiranë do të hapë një llogari bankare, të hedhë lekë në të, për të luajtur dhe të tërheqë fitimet e mundshme. Kjo procedurë e cila nuk haset në vëndet e tjera europiane nuk do të jetë një stimul, që një aktivitet i paligjshëm të bëhet i ligjshëm. Edhe në Itali, Spanjë apo kudo tjetër ka një pikë fizike ku mund të depozitohen lekët, ndaj ska pse një lojtar shqiptarë të jetë tërësisht on linë, se me këtë ide duhet të bëjm çdo blerje edhe ato ushqimore on line”, shprehet Artan Shyti, pedagog i arteve sportive.
Një tjetër pikëpyetje e kësaj nisme është edhe fakti se qeveria kërkon t’i rishpërndajë të ardhurat nga ky aktivitet, në disa fusha të ekonomisë. Sipas ekspertit Shyti, ky ligj u iniciua nga një ankesë e komunitetit sportiv.
“Në kurriz të sporti po përfitojnë edhe fusha të tjera, si arti, tekonlogjia, kultura etj. Kështu siç e ka prezantuar qeveria, nisma nuk i vjen në ndihmë sportit. Ndaj mendoj se qeveria ka bërë një ligj për të mbledhur si para më shumë në buxhet”, sqaron më tej Shyti
Qeveria i mbylli lojërat e fatit me argumentin se, ky aktivitet bazohet në një ves i cili po dëmton shoqërinë, por legalizimi i tyre së fundmi vlerësohet si një rikthim në vitet e mëparshme.
Donin t’i mbyllnin, i thamë nuk mbyllen në këtë mënyrë, do të vijojnë në informalitet. Nuk na dëgjoi qeveria. Tani i rikthehet ligjshmërisë së tyre, po njësoj siç ishte, madje me rriskun e mos ligjërimit të tyre. Ndaj u rikthyem aty ku ishim.
Draftligji për bastet online parashikon që të tatojë kompanitë që e ofrojnë këtë aktivitet me 15% të të ardhurave të lojës bruto. Në skenarin fillestar, kjo normë tatimi ishte 25%.
/a.r