Nga Preç Zogaj
Nuk është e re sot dhe nuk do të jetë e as nesër, as në të ardhmen që përfaqësuesit e Presidentit dhe Departamentit të Shtetit amerikan në Shqipëri të ndajnë me publikun shqiptar qëndrimin e SHBA kundër personave të shpallur non grata, të cilët synojnë të marrin pushtet duke qenë vetë në krye të subjekteve elektorale ose duke vendosur marioneta që i komandojnë nga prapaskena.
Ky është një obligim i vendit mik për një vend mik si Shqipëria. Me qëllim që shqiptarët ta dinë. Më e pakta.
E ka berë Ambasadori Donald Lu, ka vijuar ta bëjë në rrethana të reja, Ambasadoja Juri Kim, do të vazhdojë ta bëjë, me sa duket edhe më fort, Ambasadori i ri, David Kostelançik, që pritet të vijë në Tiranë së shpejti.
Në këtë konteks, gjatë intervistës së para pak ditëve dhënë radios “Zëri i Amerikës”, zonja Kim u pyet në lidhje me pjesmarrjen e personave të shpallur non grata në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe specifikisht të zotit Berisha.
Ajo tha: “Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi. Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë”.
Përtej metaforës me zjarrvënësin e fshatit dhe me shkrepset e fshatarëve, gjithë pjesa tjetë që ka peshë politike shumë më të madhe se metafora, është përsëritje e qëndrimeve sistematike amerikane, mbajtur nga zyrtarët e qeverisë, Kongesit dhe Senatit. Do të thotë se asgjë s’ka ndryshuar në Uashington. Ambasadorja Kim e nënvizon këtë.
Dhe s’mund të jetë ndryshe. Ambasadorët, jo vetëm të SHBA-së, mbajnë qëndrimet e shtetit të tyre. Kjo ka qenë elementare në çdo epokë, edhe kur komunikimi dhe lajmi ishin me muaj larg. E jo më sot kur lajmi dhe komunikimi janë online në të katër anët e botës.
Nga të sanksionuarit aktivë në zgjedhjet e 14 majit, reagoi ai që është në arenë me synimin për të marrë eksluzivitetin e opozitës në Shqipëri. Duke iu drejtuar miqve të tij në fb, zoti Berisha tha: “Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me deklaratën e saj për zjarre dhe zjarrëvënës, në të vërtetë ajo përpiqet të fshehë aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera. Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri”.
Cilat janë konkretisht këto afera korruptive që përpiqet të fshehë ambasadorja? Cilat janë pronat e saj në Shqipëri? Kur dhe kush i ka denoncuar publikisht? Asnjë fakt, asnjë referencë, asgjë. Po të kishte ndonjë fakt sado të vogël, institucionet amerikane do të kishin reaguar menjëherë, siç ka ndodhur e ndodh vazhdimisht në SHBA, ku zyrtarë të çdo niveli, deri në majat me të larta, hetohen, akuzohen dhe dënohen nga drejtësia, ndërkohë që të akuzuarit me fakte largohen nga postet që mbajnë.
Rasti më i freskët, i njohur gjerësisht në Shqipëri, është pikërisht rasti i ish zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal. Ky u përzu nga FBI në vitin 2018, sapo puna e tij mori erë. Pra shumë kohë përpara se faktet e dyshuara të imlikimit të tij në afera korruptive në Tiranë dhe angazhimit të tij për të përmbushur një kërkesë konfidenciale të kryeministrit Edi Rama në dëm të kryetarit të PD-së në atë kohë, Lulzim Basha, të hetoheshin penalisht nga Prokurori i Distrikit të Kolumbias dhe akuza zyrtare të shkonte për gjykim në gjykatë.
Ka gjithnjë edhe në SHBA zyrtarë që korruptohen, shkelin ligjet, bëjnë krime. Por janë vetë institucionet dhe sistemi amerikan i drejtësisë që u u jep hakun konform ligjit. Këtu edhe sekreti i vetëmbrojtjes së SHBA-ve dhe demokracive funksionale nga kalbëzimi. Sali Berisha vazhdon ta tregojë e përdorë rastin “Mcgonigal” sikur e ka zbuluar ai në Tiranë dhe SHBA nuk po bëjnë asgjë për ta hetuar e dënuar! Duke dashur ta mbajë gjithë diskurin në rrethin e ngushtë të ndjekësve, ai sajon lidhje pa lidhje, në shkapërcim të datave, kronologjisë dhe gjithçkaje që ka të bëjë me rrugën që ndjek vendimarrja e lartë në SHBA, si e si që t’i mbajë ata të fiksuar pas gënjështres se sanksionimi i ka ardhur nga McGonigal dhe “McGonigal me fustan”. Në fakt e ka me Juri Kim, e cila si zyrtare e Departamentit të Shtetit dhe si ambasadore e SHBA në Shqipëri nga fillimi i vitit 2020 nuk mund të gjendej dhe nuk gjendet në asnjë episod të aferës “McGonigal”. Berisha e fut arbitrarisht, për t’ua hedhur fansave pa tru, që reklamojnë vetëm përkatësi, por jo arsyetim, siç thotë Ivan Krastev.
Në politikë, vjen një moment kur ndjekësit e bombarduar me narrativa njëpërdorimeshe fillojnë t’i ngjajnë një piramide që duhet të ushqehet çdo ditë, përndryshe fillon të shembet. Këtu edhe “ftesa” e Berishës drejtuar Departamentit të Shtetit, FBI-se dhe Kongresi për të hetuar “aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri”. Thirrje në shkretëtirë, jo se nuk ka kush ta dëgjojë, por për faktin se është bosh sa i takon referimit të ndonjë fakti sado të vogël. Por fatkqësisht është plot me mungesë të respektit minimal për këto institucione dhe me mllef ndaj përfaqësueses së Presidentit Biden në Tiranë, që ka qenë emëruar nga ish Presidenti Tramp. Kjo “ftesë” të kujton një tjetër të ngjashme muaj më parë kur i bënte thirrje nga Foltorja Sekretarit të Shtetit , Biden, “dërgo provat në Francë”. Kur s’kishte e s’mund të kishte asnjë kërkesë të tillë për prova nga Franca dhe Blinker-it nuk i mbetej gjë tjetër veç t’i hidhte në Senë!
Sali Berisha është në të drejtën e tij të zhvillojë betejën e tij kundër sanksionimit “non grata”. Nuk duhej ta kishte përfshirë PD-në, ndërkohë që në një skenar të suksesit, PD e bashkuar dhe e rritur mund ta kishte ndihmuar atë. Duke e bërë PD-në pjesë të problemit të tij, ai e përçau, e zvogëloi. Ndërkaq, do s’do, i ka dhënë betejës për dinjitet natyrën e sfidës ndaj SHBA-ve. Dakord. Le ta sfidojë. Në Shqipërinë demokratike mund ta bëjë kushdo, në shkjelje të mirënjohjes dhe vizonit të një të ardhmeje demokratike të sigurt e më të mirë në partneritet të ngushtë me SHBA. Por logjika elementare e shumicës së njerëzve këtu do të bëjë masë më alogjizmat e e zotit Berisha. Pa llogaritur ojentimin e tyre euroatlantik.