26 vite kanë kaluar nga ajo ditë, por Nazmie Toskaj e ka akoma të freskët dhimbjen e lajmit të kobshëm për vrasjen e djalit, Aranitit.
23-vjeçari që nuk kishte më shumë se 1 muaj e gjysmë pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, u vra me bombë në një natë fillim gushti. Nënës së tij nuk i janë tharë lotët e humbjes së djalit që sot është dëshmor i Atdheut.
Araniti ishte i ri, akoma i pamartuar. Nënë Nazmie nuk mundi ta vishte dhëndër, e veshi me uniformën e policit që i mori jetën shumë shpejtë.
“Nëna e Aranit Toskajt: Si do të përjetohet kur ikën djali? 23 vjeç nuk i kishte bërë akoma, që thoja s’ka nuse për ty moj nënë. Unë e bëra dhëndër me rrobën e Policisë së Shtetit. Djali im humbi, na nderuan, na respektuan, reparti vinte për çdo herë.” – u shpreh Toskaj për Report Tv.
Nazmie Toskaj ka vetëm një peng, kërkoi që emri i djalit të skalitej në një shkollë, por kurrë nuk ia doli.
“Nëna e Aranit Toskajt: Kërkova shumë që emri i djalit tim t’i vihet një shkolle, kërkova shumë dhe e kam brengë në shpirt dhe në zemër që dha jetën për policinë dhe emrin nuk ia vunë një shkolle.” – tha Toskaj.
Nazmie Toskaj, si nëna e një dëshmori polici merr një pension modest nga shteti.
“Marrë një pension, 7 mijë lekë të reja si nëna e një dëshmori të policisë.” – shprehet nëna e Aranit Toskajt:
Ajo ishte e pranishme këtë të mërkurë në promovimin e librit “Të Rënët”, kushtuar 422 të rënëve në krye të detyrës ose për detyrën në Policinë e Shtetit. Në 2 vëllime autorët Hilë Lushaku dhe Bajram Ibraj kanë dokumentuar të gjitha humbjet e jetëve të policëve nga 1990-a deri më sot./m.j