Ish-prokurori i njohur Shkëlqim Hajdari ka komentuar ngjarjen e shëmtuar të ndodhur ndaj Top Channel. Duke folur për krimin që i mori jetën rojës Pal Kola, Hajdari shprehet për JavaNews se sulmi nuk është aspak i sofistikuar pasi autorët kanë bërë disa gabime. Sipas tij, pikërisht këto gabime do të çojnë edhe në identifikimin e tyre.
“Nuk do ta besoja as në ëndërr një ngjarje të tillë në vitin 2023 ndaj medias. Por kjo tashmë ka ndodhur ndaj uroj e shpresoj që sa më shpejt autorët të zbulohen e të dalin para drejtësisë. Duke e parë ngjarjen nga jashtë, mënyra se si është kryer, vendi, koha, mjetet e përdorura duket në pamje të parë si e sofistikuar. Por autorët kanë bërë edhe veprime të gabuara, të cilat do t’i shfrytezojnë ato që po merren me hetime” – tha ish-prokurori.
Hajdari solli në vëmendje edhe djegien e gazetës ‘Koha Jonë’, si një nga sulmet më të shëmtuara, por edhe më brutale ndaj mediave në vend.
“Kjo çështje është hetuar pothuajse nga e para, pasi veprimet e kryera në marsin e 1997 ishin të pakta. Pra kishim një kqyerje të dobët të vendit të ngjarjes, disa foto, pyetje të shumë pak dëshmitarëve që në të shumtën e rasteve ishin siperfaqesore. U vu në lëvizje nga i dëmtuari kryesor nga kjo ngjarje Z. Nikoll Lesi, ish-pronar i Koha Jonë. U administruan nga ana jonë prova të vjetra dhe të reja, shkresa, filmime, regjistrime, dëshmitarë përfshirë dhe gazetarë. U kryen ballafaqime etj. Bazuar në prova u arrit në përfundimin se individë dhe segmente të organeve shtetërore ishin të përfshirë në këtë ngjarje kriminale” – tha Shkëlqim Hajdari për JavaNews.
Ai shtoi se pavarësisht hetimeve, nuk u arrit të provohej për të ngritur akuza për personat urdhërdhënës dhe zbatues të këtij sulmi ndaj medias.
“Kjo ndodhi për shkak të kryerjes së hetimeve të thelluara disa vite pas ndodhjes së veprës. Koha i dha mundësinë autorëve të prishin një pjesë të provave, kryerjes së veprimeve të para-hetimore të dobëta në 2 Marsin e 1997” – përfundoi ish-prokurori Hajdari.