Gjykata e Tiranës ka vendosur amsën e sigurisë “arrest me burg” për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të tatimeve Tiranë Androkli Kokthi, i arrestuar dy ditë më parë nën akuzën e “shëprdorimit të detyrës”.
Porvat e paraqitura nga prokuroria ishin të mjaftueshme që trupa gjykuese të vendoste këtë masë sigurie.
Ai akuzohet se në kundërshtim me ligjin, i ka kthyer një kompanie mallin e sekuestruar pa faturë tatimore.
Ndërkohë vet zyrtari i lartë mohoi akuzat, ndërsa avokati i tij e cilësoi antiligjor arrestimin.
DOSJA E PROKURORISE
Nga veprimet hetimore të deritanishme, rezulton se i dyshuari Kokthi, në kundërshtim me ligjin, ka lejuar kthimin e mallit të konfiskuar një subjekti tregtar privat që ushtron veprimtarinë në shit-blerjen e pjesëve këmbimit të automjeteve.
Në muajin Mars 2015, nga ana e inspektorëve të Kontrollit Tatimor Tiranë, është konstatuar se një subjektin ”L…B…” gjendej një sasi malli pa faturë, në vlerë totale prej rreth 4 milionë lekë të reja. Bazuar në procedurat ligjore, malli i konstatuar pa faturë është konfiskuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Malli i konfiskuar është dërguar për ruajtje në magazinat e Rezervave të Shtetit.
Disa kohës pas konfiskimit të mallit, nëpërmjet një shkrese, Drejtori Rajonal i Tatimeve Tiranë urdhëron lirimin nga konfiskimi të mallit dhe kthimin e tij subjektit privat që i ishte gjetur malli pa faturë.
Por, ky veprim është tërësisht në kundërshtim me ligjin, pasi malli i konfiskuar nuk mund të rikthehet, por vetëm mund të blihet nga subjektit, të cilit i është gjetur pa faturë. Po ashtu, në bazë të procedurave administrative dhe atyre tatimore, një urdhër administrativ i nxjerrë nga një organ më i lartë, nuk mund të shfuqizohet nga një organ më i ulët. Në rastin konkret, Drejtori Rajonal ka shfuqizuar urdhërin e konfiskimit të institucionit epror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Prokuroria e Tiranë ka krijuar dyshimet se Drejtori Rajonal i Tatimeve Tiranë, në bazë të veprimeve të kundërligjshme, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në rreth 4 milionë lekë.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit, i cili është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit pasditen e së Enjtes (dt. 18.02.2016)