Nga Fatos Tarifa
Në kuadër të 32-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara
Hapja e madhe e Shqipërisë
Në vjeshtën e vitit 1989 të gjitha qeveritë komuniste në vendet e Europës Lindore ranë njëra pas tjetrës, në një mënyrë që është quajtur “efekti domino”. Rumania ishte guri i fundit. Në dhjetor të atij viti, qytetarët rumunë e hoqën qafe diktatorin e tyre Nicolae Ceausescu. Ndërkohë, në Shqipëri kishte ende njerëz që besonin se ky vend ishte një rast “unik” dhe nuk do të prekej nga vala e ndryshimeve të mëdha që solli përmbysjen e sistemit të socializmit shtetëror në gjysmën e Europës. Siç shprehej kreu komunist i vendit në atë kohë, Ramiz Alia, Shqipëria nuk ishte “as Lindje, as Perëndim”.
Ky paradoks do të ishte fatal për drejtimin që morën më vonë ngjarjet në Shqipëri. Një vit pas Rumanisë, në fillim të dhjetorit 1990, Shqipëria iu bashkua trendit të ndryshimeve politike dhe ekonomike në mbarë Europën Lindore. Krijimi i disa partive opozitare dhe rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, më 20 shkurt 1991, simbolikisht dhe realisht i dhanë fund sistemit të “diktaturës së proletariatit” në Shqipëri. Ngjarjet e asaj periudhe dhe shkaqet e tyre i kam analizuar nga një këndvështrim sociologjik në një artikull të gjatë që botova pak kohë më vonë (“Albania’s Road from Communism: Political and Social Change, 1990-1993”) në revistën Development and Change (1995, 2,1:133-162).
Më 15 mars të po atij viti, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara rivendosën marrëdhënie diplomatike mes tyre, të ndërprera 45 vite më parë, më 1946. Ky akt mund të thuhet se shënoi hapjen e vërtetë—dhe më të madhe—të Shqipërisë ndaj Botës.
Vizita historike e sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë
E para gjë vërtet e rëndësishme që ndodhi menjëherë pas kësaj ishte vizita e sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë, më 22 qershor të atij viti. Tri ditë para asaj vizite, më 19 qershor, ndërsa sekretari Baker ndodhej në Berlin për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë—Conference on Security and Cooperation in Europe (CSCE), sot Organization for Security and Co-operation in Europe (OSCE)—dhe për të diskutuar me homologun e tij sovjetik mbi reduktimin e armëve strategjike, Shqipëria ishte pranuar në CSCE dhe, në shtator të atij viti, do të nënshkruante Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit.
James Baker erdhi në Tiranë nga Berlini, pas një vizite njëditore në Beograd, ku u takua me kryeministrin jugosllav Ante Markovic dhe me presidentët e të gjashtë republikave të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë në atë kohë.
Vizita e sekretarit Baker rihapi një portë hermetikisht të mbyllur për 45 vite me radhë në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara, në një kohë vendimtare në historinë moderne të Shqipërisë dhe për të ardhmen e saj. Ajo vizitë dhe mesazhet që u përcolli sekretari Baker shqiptarëve në ato fillime të vështira të tranzicionit demokratik ngjallën shpresa të mëdha te një popull, i cili sapo kishte hequr qafe zgjedhën e një diktature komuniste dhe, pa asnjë përvojë demokratike në historinë e vet kombëtare, nuk dinte se çdo të bënte me të ardhmen e vet.
Vizita e sekretarit Baker në Tiranë afro 32 vite më parë ende mbahet mend nga shqiptarët e brezit të mesëm e të rritur. Për atë vizitë dhe për rëndësinë e saj në ata muaj të parë të zgjimit demokratik në Shqipëri është folur dhe shkruar shumë. Duke e pasqyruar atë ngjarje në faqet e saj, The New York Times shkruante në atë kohë se: “U duk sikur ajo vizitë u dha shqiptarëve provën e parë të vërtetë se mankthi i tyre kombëtar, më në fund, mbaroi” (The New York Times, June 23, 1991).
I mahnitur nga entuziazmi me të cilin u prit nga shqiptarët, vetë James Baker, në kujtimet e tij botuar disa vite më vonë, ka shkruar: “Në pesëdhjetë vite të jetës sime në politikë kurrë nuk kisha parë diçka të tillë” (James A. Baker III, The Politics of Diplomacy: Revolution, War and Peace, 1989-1992, New York: Putnam’s Sons, 1995, f. 485). William Ryerson, i cili kishte mbërritur në Tiranë më parë dhe në fund të atij vitit u bë ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, e ka krahasuar vizitën e sekretarit Baker në Tiranë me vizitën e presidentit J. F. Kennedy në Berlin në vitin 1963.
James Baker u përcolli në atë kohë shqiptarëve—qartë dhe me zë të lartë—këtë mesazh: “Në emër të presidentit [George H. W.] Bush dhe të popullit amerikan, unë vij sot këtu për t’ju thënë: Liria funksionon. Më në fund, ju jeni të lirë të mendoni siç dëshironi ju vetë. Më në fund, ju jeni të lirë të thoni atë që mendoni. Më në fund, ju jeni të lirë t’i zgjidhni vetë ata që doni t’ju drejtojnë”.
Një deklaratë e tillë ishte ekzaktësisht ajo çfarë Samuel Huntington, në librin e tij të njohur The Third Wave: Democratization in the Late Twentieth Century, e ka cilësuar si “mbështetje amerikane për demokratizim” në një vend të huaj. Përmes kryediplomatit të saj, Amerika kishte folur: “Mirësevini në shoqërinë e njerëzve të lirë kudo që jemi, të lirë siç Krijuesi ka dashur të jemi. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”.
Me një forcë të tillë emocionale ky mesazh shërbeu në atë kohë si një katalizator për ndryshime pozitive në politikën dhe në shoqërinë shqiptare, në një kohë kur një regjim autoritarist komunist—i sklerotizuar dhe në rënie e sipër—po u hapte rrugë formave të reja të organizimit politik dhe ekonomik. Vetëm dhjetë ditë para se sekretari Baker të vizitonte Tiranën, më 12 qershor 1991, qeveria socialiste e drejtuar nga Fatos Nano ishte zëvendësuar nga një qeveri e përkohëshme, gjysma e anëtarëve të së cilës vinin nga partitë opozitare të sapoformuara dhe gjysma nga radhët e socialistëve. Ajo qeveri kujdestare u ngarkua që të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme shumëpartiake që do të mbaheshin në pranverën e një viti më vonë.
Mesazhi që sekretari i Shtetit James Baker u përcolli shqiptarëve në atë kohë zgjoi sentimente të forta proamerikane. Rreth 300 mijë vetë që u mblodhën në Sheshin Skënderbeg ditën e vizitës së tij në Tiranë e pritën atë duke brohoritur dhe thirrur “Poshtë Partia Komuniste. Shqipëria është e jona. Amerika është me ne”. Siç do u thoshte vetë sekretari Baker gazetarëve të huaj gjatë kthimit në Uashington: “Ai shpërthim i sinqertë afeksioni dhe mbështetjeje për Amerikën shpjegohet me simbolin që Amerika përfaqëson për popuj si ky, që për një kohë shumë të gjatë nuk kanë pasur asgjë në çfarë të shpresonin” (Frank Csongos, “Baker’s visit to Albania stirs pro-U.S. emotions”, UPI, June 24, 1991).
I njëjti mesazh u përsërit në fjalën që sekretari Baker mbajti në Kuvendin e Shqipërisë po atë ditë. Dhe mesazhi ishte sërish shumë i qartë: “Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për anëtarët e këtij parlamenti sot dhe për qytetarët e këtij vendi, që tani ndeshen me sfidën e vështirë të rindërtimit kombëtar. Në rrugën e lirisë, ne duhet të shkojmë gjithnjë përpara. Në këtë parlament, në këtë kryeqytet, dhe kudo në këtë vend nuk mund të ketë veçse ecje përpara drejt vendosjes së demokracisë së plotë, një ekonomie tregu dhe shtetit ligjor. Pas kaq shumë vitesh, Shqipëria nuk ia del dot të vonohet edhe më tej”.
Sekretari Baker vijoi më tej: “Dua të jem shumë i qartë edhe për diçka tjetër: ashtu sikur nuk mund të ketë kthim prapa në rrugën drejt një Shqipërie të re, në këtë rrugë nuk ka vend për dhunë, nuk ka vend për intimidim, nuk ka vend për përdorimin e forcës. Parimet e Europës së re —Europës së cilës Shqipëria sapo ka nisur t’i ribashkohet me anëtarësimin e saj në CSCE— janë respekti për të drejtat njerëzore dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve. Unë flas në emër të të gjithë amerikanëve kur them për çdo anëtar të këtij parlamenti dhe për çdo qytetar të Shqipërisë: Le t’i japim fund çdo frike në Shqipëri. Kjo është Shqipëria e re dhe ju jeni anëtarë të një Europe të re”.
James Baker e mbylli mesazhin e tij për ligjvënësit shqiptarë me këto fjalë: “Këtu, si dhe në Amerikë, demokracia nuk duhet të jetë vetëm një ideal — ajo duhet të jetë realitet. Në këtë përpjekje, për aq kohë sa ju u qëndrori besnikë këtyre parimeve, ne do të jemi me ju, ashtu siç ishim me ju në fillim të këtij shekulli, kur presidenti Woodrow Wilson u bë kampion i çështjes suaj. Unë jam krenar që presidenti im dhe vendi im janë me ju tani, në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, në mbështetje të një Shqipërie të lirë e të pavarur. Sepse çdo pjesë e këtij kontinenti, ashtu si dhe çdo qytetar i këtij vendi, duhet të jetë pjesë e asaj që presidenti Bush e quan ‘një Europë e tërë dhe e lirë’…ne shpresojmë që, nga sot e tutje, populli amerikan dhe populli shqiptar do të ndajnë mes tyre këto ideale: një qeveri e hapur, një media e hapur, një ekonomi e hapur, një shoqërie hapur. Këto janë mburojat e lirisë. Dhe liria funksionon”.
Ajo që vizita e sekretarit Baker në Tiranë sfidoi më së shumti në imagjinatën e shqiptarëve në atë kohë—dhe që pati ndikimin më të madh në ndërgjegjen e tyre—ishte besimi se “America is with us”.
Këto fjalë kishin një ngarkesë të madhe emocionale, madje edhe për një njeri si James Baker, i njohur për ftohtësinë emocionale të tij, i cili, më vonë, duke iu referuar asaj vizite në Tiranë, do të shkruante: “Kurrë nuk jam ndier më i privilegjuar që kam përfaqësuar vendin tim” (Baker, The Politics of Diplomacy, f. 486).
Vizitat e sekretarëve amerikanë të Shtetit në Tiranë
Vizita e sekretarit Baker ishte e para vizitë e një zyrtari të lartë amerikan në Shqipëri dhe, si e tillë, ajo mund të konsiderohet një vizitë historike. Ajo ishte një ngjarje e paprecendet në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane qysh nga Lufta e Dytë Botëtore.
Katër sekretarë Shteti të Shteteve të Bashkuara—demokratë dhe republikanë—e kanë vizituar Shqipërinë pas asaj vizite të sekretarit Baker: e ndjera Madeleine Albright në vitin 2000, i ndjeri Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry më 2016.
Çdonjëri prej tyre ka sjellë mesazhe në emër të presidentit amerikan dhe të popullit amerikan—dhe mesazhi kryesor gjithnjë ka qenë ky: Populli dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara janë me ju, me qeverinë dhe me popullin e Shqipërisë në përpjekjet tuaja për të forcuar demokracinë, për të konsoliduar shtetin ligjor dhe për të ndërtuar një të ardhme të begatë.
Madeleine Albright
Thuajse një dekadë pas vizitës së sekretarit Baker, kryeqytetin shqptar e vizitoi sekretarja e Shtetit Madeleine Albright. Vizita e sekretares Albright ishte planifikuar të bëhej më 11 qershor të vitit 1999, pas një vizite të shkurtër që ajo bëri në Shkup por, për “arsye sigurie”, siç shpjegoi në atë kohë CNN, ajo vendosi që të mos vinte në Tiranë. Arsyeja që u tha publikisht ishin të dhënat se, në atë kohë, në Shqipëri ishin aktivë persona të lidhur me terroristin e rrezikshëm Osama bin Laden.
Burime zyrtare në Uashington u shprehën në atë kohë se “një vizitë e shkurtër në Tiranë nuk i justifikonte masat shtesë që kërkoheshin për të përballuar kërcënimin ndaj sigurisë së znj. Albright”.
Për të njëjtën arsye e anuloi vizitën e tij në Tiranë, të planifikuar për t’u bërë pak javë më vonë, në korrik të atij viti, edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes William Cohen. Anulimi i asaj vizite, që ishte planifikiuar të zgjaste pesë orë, siç njoftoi në atë kohë CNN, u bë “për të shmangur një ‘fole grerëzash’ të operativëve të Osama bin Laden-it”. Lajmi i CNN-it në atë kohë (15 korrik 1999) ishte ky: “Burime të Departamentit të Mbrojtjes i thanë CNN-it se vizita në Shqipëri [e sekretarit të Mbrojtjes] u hoq nga itinerari i udhëtimeve të tij në gjashtë vende të Europës për shkak të ‘një kërcënimi në terren’ që lidhet me militantë islamikë të lidhur me bin Laden-in, organizatori i dyshuar për venien e bombave në ambasadën amerikane në Afrikë vitin e kaluar”.
Burimet e cituara nga CNN vunë në dukje se të dhënat e agjencive amerikane të inteligjencës “për një sulm të mundshëm ndaj një zyrtari amerikan me profil të lartë, ishin marrë nga komunikime të interceptuara”. I pyetur në atë kohë nga gazetarët nëse anulimi i vizitës së tij në Shqipëri kishte si shkak kërcënimin që vinte nga Osama bin Laden, vetë sekretari i Mbrojtjes Cohen pohoi se programi i tij kishte ndryshuar “jo vetëm” për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë, por edhe për shkak të “mundësisë së një sulmi terrorist”.
Sekretari i Mbrojtjes William Cohen nuk e vizitoi Shqipërinë as më vonë, por sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, nën masa të rrepta sigurie, bëri një vizitë të shkurtër në Tiranë më 19 shkurt 2000. Ajo erdhi këtu nga Zagrebi, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit kroat Stepan Mesić. Në Tiranë, sekretarja Albright mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të rrethanave të kohës, kur Kosova sapo ishte çliruar, vendin qendror në bisedimet e saj me drejtuesit e shtetit shqiptar e zunë problemet e rajonit dhe, sidomos, shqetësimi i Shteteve të Bashkuara që politikanët shqiptarë në të dy anët e kufirit të shmangnin çdo përpjekje ose dëshirë për ndryshimin e kufijve mbi baza etnike.
Gjatë asaj vizite, sekretarja Albright deklaroi prerazi se komuniteti ndërkombëtar nuk do të toleronte asnjë përpjekje për krijimin e një Shqipërie të Madhe. Ajo shprehu shqetësimin e saj në atë kohë mbi konfliktet e dhunëshme mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe bëri thirrje për forcimin e përpjekjeve për të ruajtur karakterin multietnik të Kosovës. Sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Uashingtonit dhe Tiranës, vizita e znj. Albright nuk mund të thuhet se shënoi ndonjë moment shumë të rëndësishëm.
Hillary Clinton
Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton vizitoi Tiranën më 1 nëntor 2012. Vizita e saj ishte, gjithashtu, pjesë e një turi disaditor në Ballkan, që nisi në Sarajevë, vijoi në Beograd, në Prishtinë, në Zagreb dhe u mbyll në Tiranë.
Ashtu si Madeleine Albright para saj, sekretarja Clinton mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, një rast ky me të cilin ajo u uroi popullit dhe politikanëve shqiptarë Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por, edhe ajo vizitë, pavarësisht personalitetit të znj. Clinton, si një ish-Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara, si një ish-anëtare e Senatit amerikan dhe, në atë kohë, si sekretarja e Shtetit e fuqisë më të madhe të globit, sa u përket marrëdhënieve dypalëshe mes Tiranës dhe Uashingtonit nuk kishte atë rëndësi që kishte pasur vizita e sekretarit Baker në Tiranë në vitin 2001 dhe as vizita e sekretarit Colin Powell në vitin 2003.
John Kerry
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vizitën e sekretarit të Shtetit John Kerry në shkurt të vitit 2016. Edhe pse vizita e tij në Tiranë ishte e vetmja vizitë që sekretary Kerry bëri në atë udhëtim në Europë, pasi mori pjesë në konferencën e përvitshme mbi Sigurinë në Munich dhe në një takim ndërkombëtar për Sirinë, agjenda e asaj vizite përmbante një takim me kryeministrin Edi Rama, një tjetër takim me përfaqësues të opozitës dhe një bisedë me një grup të rinjsh në njërën prej sallave të Muzeut Historik Kombëtar.
Mesazhi i sekretarit Kerry për popullin shqiptar dhe për klasën politike të vendit ishte, në thelb, i njëjtë me atë të katër sekretarëve të tjerë të Shtetit që kishin vizituar Tiranën para tij, por më i nuancuar dhe i fokusuar në problemet e brendshme të vendit për shkak të prioriteteve të kohës. Kryefjala e mesazhit të tij ishte forcimi i shtetit ligjor. Njerëzit e këtij vendi, vuri në dukje sekretari Kerry, duan të jetojnë në një vend ku sundon ligji, ku “gjykatësit dhe prokurorët u përmbahen të njëjtave ligje si dhe çdo qytetar i zakonshëm” dhe ku të gjithë duhet të trajtohen njëlloj, “pa marrë parasysh se cila parti politike është në pushtet, cilës parti i përkasin, apo cila është politika e tyre”. Ky mesazh i drejtpërdrejtë mund të ketë qenë preludi i reformës në sistemin tonë të drejtësisë që nisi po në atë kohë.
John Kerry vuri në dukje përparimet e arritura në Shqipëri duke theksuar se, në përpjekjet e saj për progres të mëtejshëm, “Shqipëria mund të mbështetet në miqësinë dhe në përkrahjen e plotë të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe të qeverisë së tij”.
Colin Powell
Çdo vizitë e një përfaqësuesi të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka pasur rëndësinë e vet në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Tiranës dhe Uashingtonit. Çdonjëra prej vizitave të pesë sekretarëve të Shtetit në Tiranë ka qenë një ngjarje politike dhe diplomatike shumë e rëndësishme për vendin tonë por, me përjashtim të vizitës së sekretarit James Baker, në gjykimin tim, asnjëra prej vizitave të tre sekretarëve të tjerë të Shtetit—Albright, Clinton dhe Kerry—nuk ka pasur për Shqipërinë atë rëndësi që kishte vizita e sekretarit Colin Powell më 2 maj 2003.
Vizita e sekretarit të Shtetit Colin Powell në Tiranë ka qenë pa dyshim një ngjarje shumë e rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo vizitë mund të konsiderohet, gjithashtu, si një ndër tre vizitat më të rëndësishme të një politikani të lartë amerikan në Shqipëri, pas vizitës të sekretarit të Shtetit James Baker më 22 qershor 1991 dhe vizitës së presidentit George W. Bush më 10 qershor 2007.
Colin Powell erdhi në Tiranë katër vite më parë sesa kryeqytetin shqiptar ta vizitonte presidenti Bush. Ajo ishte një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po zgjeroheshin e zhvilloheshin si asnjëherë më parë, jo vetëm si marrëdhënie ndërshtetërore diplomatike e politike, por edhe në sferën ekonomike dhe atë ushtarake.
Çelja e të gjitha programeve të Bankës Amerikane të Eksport-Importit për Shqipërinë në vjeshtën e vitit 2001 kishte krijuar mundësi reale për nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta kapitale amerikane në Shqipëri. Nënshkrimi në fund të vitit 2002 nga qeveria shqiptare i një marrëveshjeje me korporatën gjigante amerikane Lockheed Martin dëshmonte se Shqipëria ishte bërë tashmë një vend i stabilizuar dhe i sigurtë për investime amerikane dhe investime të tjera të huaja.
Në vitin 2002, forcat shqiptare të Batalionit të Operacioneve Speciale ishin ndër të parat që iu bashkuan Operacionit “Enduring Freedom” në Afganistan, emri me të cilin qeveria amerikane e quajti në atë kohë Luftën Globale kundër Terrorizmit. Edhe pse Shqipëria ende nuk bënte pjesë në NATO, trupat ushtarake shqiptare më elitare u bënë në atë kohë pjesë e misionit ushtarak ISAF (International Security Assistance Force) në Afganistan, që u krijua në dhjetor të vitit 2001 me vendim të Këshillit të Sigurisë të OKB-së (Rezoluta 1386) dhe që drejtohej nga NATO.
Në prill të vitit 2003, vetëm disa javë pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak, Shqipëria ishte ndër vendet e para (pas Australisë, Polonisë dhe Britanisë së Madhe) që dërgoi një pjesë të trupave komando më të stërvitura të saj në mbështetje të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që parlamenti shqiptar kishte autorizuar përdorimin e hapësirës ajrore të vendit tonë për fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë me destinacion Irakun. Këto zhvillime përbënin një bilanc shumë të pasur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara—në fakt bilancin më të pasur në marrëdhëniet dypalëshe mes tyre deri atëherë.
Sekretari Powell e vizitoi Tiranën pikërisht në një kohë kur qeveria shqiptare kishte dëshmuar mbështetjen e saj të plotë për administratën amerikane dhe ishte angazhuar ushtarakisht në Afganistan dhe në Irak. Edhe pse një vend i vogël dhe me resurse e mundësi shumë të kufizuara, mbështetja dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në atë koalicion të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kishte një rëndësi jo të vogël—edhe pse kryesisht simbolike—për Uashingtonin, sidomos në rrethanat kur shtete të mëdhenj e të fuqishëm, si Gjermania dhe Franca, anëtarë të NATO-s, jo vetëm që nuk i mbështetën Shtetet e Bashkuara në Iraq, por edhe u përpoqën energjikisht që t’i pengonin ato, duke formuar një farë “Triple Alliance” me Rusinë.
Kjo ishte Shqipëria që vizitoi më 2 maj 2003 sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Colin Powell—dikur një vend komunist dhe shumë i izoluar nga bota, që Amerikën e konsideronte si armikun më të madh të saj dhe si xhandarin e botës, ndërsa tani vendi më proamerikan dhe një aleat i ngushtë dhe shumë i besuar i saj.
James Baker, e kishte çelur portën e mbyllur të këtij vendi 12 vite më parë dhe ishte pritur nga qytetarët e Tiranës si shpëtimtari i tyre, thuajse njëlloj siç ishte pritur presidenti Woodrow Wilson në Paris, në Londër dhe në Romë rreth 70 vite më parë. Por, në dallim nga vizita shumë e rëndësishme e sekretarit Baker në Tiranë në vitin 1991, e cila mund të konsiderohej si një lloj Missionary Diplomacy (diplomaci misionare), vizita e sekretarit Powell, një ngjarje gjithashtu shumë e rëndësishme, mund të konsiderohet një veprim diplomatik realpolitik. Ajo vizitë u motivua më shumë—dhe kryesisht—nga konsiderata gjeostrategjike dhe pragmatike sesa nga nocione qartësisht ideologjikë, ose nga premisa etike, edhe pse vetë Colin Powell ishte—dhe mbeti deri në fund të karrierës së tij aktive në politikë dhe deri në fund të jetës së tij—një personalitetet që shquhej për standarde të larta etike.
***
James Baker, Madeleine Albright dhe Hillary Clinton, gjatë vizitave të tyre në Tiranë folën para anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe mesazhet e tyre ishin shumë inkurajuese. Colin Powell dhe John Kerry (më vonë) nuk e përdorën parlamentin si një tribunë për të përcjellë mesazhet e tyre po aq të rëndësishëm; mesazhet e tyre ata ua bënë të njohura drejtuesve të politikës shqiptare.
Për arsye të kuptueshme, Baker gjeti në Tiranë pritjen më entuziaste nga qytetarët e këtij vendi krahasuar me pritjet zyrtare më rutinë që u janë bërë sekretarëve të Shtetit që erdhën pas tij. Të gjithë ata e kanë pasur Tiranën pjesë të një programi më të gjerë vizitash në Europë, por kryesisht në Ballkan.
Rrallë ka ndodhur që një sekretar amerikan i Shtetit të vizitojë një vend të vetëm në Europë dhe, kur kjo ka ndodhur, ky vend, sigurisht, nuk ka qenë dhe s’mund të ishte Shqipëria. Edhe Colin Powell erdhi në Shqipëri nga Madridi, ndërsa udhëtonte për në Damask. Por, në rrethana krejt të tjera nga ato të sekretares së Shtetit Albright apo të sekretarit të Mbrojtjes Cohen në vitin 1999, ai nuk e shtyu dhe as e anuloi atë vizitë në Tiranë, e cila u planifikua dhe u përgatit në vetëm pak ditë. Colin Powell erdhi në Tiranë pa e pasur vizitën në kryeqytetin tonë pjesë të programit të udhëtimit të tij në Spanjë dhe në Lindjen e Mesme në fillim të majit 2003. Ai e shtoi Tiranën në itinerarin e tij—me dëshirën e tij dhe për kënaqësinë e tij “të kulluar” (pure pleasure), siç u shpreh më vonë ai vetë.
Rëndësia e veçantë që kishte për Shqipërinë vizita e sekretarit Powell, sidoqoftë, nuk ka të bëjë me detajet e udhëtimit të tij. Ajo konsiston në faktin se, gjatë asaj vizite, qeveria shqiptare nënshkroi për të parën herë në një nivel zyrtar kaq të lartë dy marrëveshje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara, siç qenë Marrëveshja për Paragrafin 98 të Statutit të Romës dhe Karta e Adriatikut. Kjo e fundit luajti një rol shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.