Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një intervistë me Panorama TV këtë të shtunë, ka folur lidhur me situatën ku ndodhet opozita pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 Majit dhe mos regjistrimi në KQZ i PD së Sali Berishës. Sipas tij, me rëndësi është bashkimi i opozitës dhe më pas i gjithë shqiptarëve.
“Pak a shumë kemi rënë në lojën e Ramës dhe kjo nuk është e pranueshme për një opozitë që pretendon të sjellë dicka ndryshe për shqiptarët. E para është një bashkim të gjithë opozitës dhe më pas për një bashkim të gjithë shqiptarëve.
Opozita që të bashkojë qytetarët duhet të gjejë rrugët për të bashkuar vetveten dhe brenda fraksioneve, apo atyre që duket se mund të jenë ndarje të papajtueshme. Mënyra se si zgjidhet nëse ka vullnet politik.
Opozita padyshim që është e fortë se është momenti që qytetarët bashkë me opozitën bashkë të reagojnë. Ne nuk mund të pranojmë që të shkojmë e të prekim fundin. Shqipëria po prek fundin në elementë politikë, kushtetues, parlamentarizmi, gjyqësorit, ekonomia, largimi i të rinjve”, tha Mediu.
Lidhur me mundësinë që kandidatët e dalë nga procesi i primareve të dalin të pavarur në zgjedhjet lokale, Mediu tha: “Duket që mazhoranca kërkon ta përcajë, mos të ketë mundësi që kandidatët e primareve të kandidojnë. Nuk di të ketë mundësi për këtë opsion”.
I pyetur nëse ka pasur negociata me Berishën për zgjedhjet e 14 majit, Mediu u shpreh:
“Ne kemi rënë dakort prej kohësh që ne do mbështesim kandidaturat e PD dhe PR do ketë listën e saj të këshilltarëve. Mendojmë që kjo është rruga më e mirë.
Kam biseduar dhe me Berishën, Ndokën, Këlliçin, ideja ime ka qenë të shoh e vlerësoj qendrimet. Ka një vullnet që duhet konkretizuar, duhet tejkaluar ndarja e duhen lënë mënjanë lojërat politike të momentit e duhet parë me interes më të madh se sa ne vetë si individë apo politikanë apo deputetë”.
/e.d