Nga Carlo Bollino
Pasi KQZ, ashtu siç parashikohej, refuzoi kërkesën e regjistrimit të paraqitur nga Sali Berisha, duke ia hapur dyert kërkesës së regjistrimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj, papritur zbulohet se edhe kjo PD rrezikon të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore. KQZ ka kërkuar që të plotësohet dokumentacioni me një deklaratë solemne kundër manipulimeve elektorale, që duhet të firmoset me domosdoshmëri nga kryetari i partisë dhe jo nga një i deleguari i tij, siç mund të bëhet me dokumentet e tjera.
Kjo deklaratë solemne është futur në kodin elektoral me reformën e vitit 2020 të votuar edhe nga PD. Sipas KQZ-së është Lulzim Basha kryetari në detyrë i Partisë Demokratike ndaj i takon atij të firmosë këtë dokument. Eshtë një formalitet i thjeshtë, e megjithatë, në mënyrë të pabesueshme sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi bëri një deklaratë zyrtare me të cilën refuzon kërkesën e KQZ-së duke thënë se dokumentet e dorëzuara janë të mjaftueshme dhe se nuk duhen të tjera.
Kjo është kultura e PD-së berishiane që mesa duket i mbijeton edhe vetë Berishës dhe që pretendon t’i japë lojtarëve të vet edhe rolin e arbitrit. Sipas Ilirjan Celibashit çështja nuk mund të kalohet lehtë: deklarata solemne e paraqitur ne KQZ me firmën e Enkelejd Alibeajt nuk ka asnjë vlerë sepse duhet pikërisht firma e Lulzim Bashës dhe ka lënë 48 orë kohë për ta dorëzuar. Nëse ai dokument nuk dorëzohet, edhe PD-ja e Bashës dhe Alibeajt, gati me siguri do të mbetet jashtë zgjedhjeve administrative të 14 majit.
Pozicioni i Gazmend Bardhit (që supozojmë se është ndarë dhe konsultuar me kupolën e partisë së tij) mbetet i pakuptueshme dhe grotesk. Nëse PD e lë veten të përjashtohet nga zgjedhjet për faj të një shkelje formale lehtësisht të tejkalueshme (një qendrim që duket gati një kapriço), përse prej dy vitesh luftojnë në një betejë të egër dhe ligjore për të kontrolluar partinë? Apo kemi të bëjmë me ndonjë shantazh të panjohur alla Berishë që i detyron të bëjnë këtë hap? Ose ndoshta, përtej luftës zyrtare kunder Berishës, tashmë ekziston edhe një luftë e ftohte kundër Luzlim Bashës nga brenda grupit të vet, dhe asnjë nuk do ta ringjallë as vetëm nëpërmjet nje firme formale?
Prej kohësh ne fakt dietrologët e politikës hipotizonin se as PD e Enkelejd Alibejat nuk do të merrte pjesë në zgjedhje dhe kjo vetëm për të shmangur numërimin e votave të marra me 14 maj qe mund te certifikojne në këtë mënyrë për herë të dytë (pas 6 marsit) se është Sali Berisha ai që kontrollon elektoratin e partisë. Atëherë për çfarë shërbeu marrja e vulës së një partie nëse nuk përdoret për të marrë pjesë në zgjedhje?
Nëse as Bashës, Bardhit dhe Alibeajt nuk iu intereson të garojnë me Partinë Demokratike nga frika e humbjes, atëherë pse nuk ja dorëzojnë vulën Sali Berishës dhe t’i japin fund këti teatri? Duket sikur edhe për ta vlen principi i zakonshëm fëminor se e rëndësishme është t’i hiqet partia Sali Berishës dhe jo të mundet Edi Rama. Nëse do të ishte hipoteza e shantazhit apo kërcënimeve, situate do të ishte më serioze dhe e rëndë.
Partitë ndonjëherë lindin e ndonjëherë vdesin. Fundi i një partie nuk është fundi i pluralizmit dhe pra, demokracia shqiptare do të mbijetojë pa diskutim. Ka akoma disa ore kohe per te sqaruar situaten. Por nga kjo sjellje e lidershipit të vjetër dhe të ri, Partia Demokratike është e destinuar të vdesë, siç ndodh me cilëndo skuadër që zgjedh të mos marrë pjesë me në kampionat. Populli opozitar meriton më shumë.