Opozita turke vendos liderin e saj Kemal Kiliçdarollunë përballë Rexhep Taip Erdoganit në zgjedhjet presidenciale, që pritet të mbahen më 14 maj në vend, krahas atyre parlamentare.
Lideri i republikanëve, partisë më të madhe të opozitës u prezantua natën e të Hënës në një tubim në Ankara, pas përfundimit të takimit mes liderëve të 6 partive të koalicionit të madh opozitar. Kandidatura e tij hasi deri në minutën e fundit, në kundërshtimin e partisë së mirë, e dyta më e madhe në radhët e opozitës.
Liderja e tyre Meral Akshener propozoi që përballë Erdoganit të garonteEkrem Imamollu, kryebashkiaku i Stambollit, figurë mjaft popullore i cili i dha fund dominimit prej gati çerek-shekulli të partisë së Erdoganit në qytetin më të populluar të vendit. Megjithatë, ajo ra dakord për kandidaturën e Kiliçdarollusë pasi u pranua kushti i saj që Imamollu të jetë nënpresident.
Kiliçdarollu drejton republikanët prej 13 vitesh dhe asnjëherë nuk ia ka dalë personalisht të mposhtë Erdoanin. Megjithatë, koalicioni 6 partiak garon për të parën herë i bashkuar në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale dhe pritet të mbështetet edhe nga kurdët e HDP-së. Sondazhet tregojnë se Erdogan është në pozita të vështira, veçanërisht pas krizës që shkaktoi tërmeti i 6 Shkurtit.
/a.r