Analisti pranë grupit të Enkelejd Alibeajt në PD, njëkohësisht anëtar Kryesie i PD, Fitim Zekthi ka zbuluar se si po mendon të veprojë ky grupim brenda PD-së sa i përket selisë blu ku vazhdon qëndrimin Sali Berisha dhe grupi i tij.
Në News 24, Zekthi tha se sa i përket selisë së PD-së, e cila sipas tij është uzurpuar nga lëvizja e foltores së Sali Berishës, do ketë përpjekje nga ana e Alibeajt që të mos krijohen konflikte dhe të merren ambiente të reja për zhvillimin e aktiviteteve të demokratëve.
“PD nuk do të shkojë aty me tulla dhe leva. Do të marrin ambiente të tjera. Zyrat janë tulla dhe llaç. Zyrat janë një gjë kot fare, nëse do të punosh, punon kudo. Është selia zyrtare e PD, është uzurpuar nga lëvizja e foltores, PD nuk do të kërkojë as në polici që ata të dalin, por do të kërkojë ambiente të tjera.
Shqipëria ka përjetuar shumë konflikte të shëmtuara. Selia ku ndodhet Berisha sot i takon PD-së dhe aty do jenë zyrat e drejtuesve. Me sa kam informacion që të mos hyjmë në konflikte nuk do shkojmë atje. Do përpiqen të marrin ambiente të tjera. Zyrat janë tulla e dërrasa e llaç. Nuk kanë rëndësi ato.
Zyrat janë kot fare. Nëse do të punosh punon. Duhet që aty të rrijnë zyrtarët, por kjo nuk ndodh sepse është uzurpuar nga lëvizja e foltores deri sa të kuptojnë që ajo që bëjnë është pa kuptim.”, u shpreh Zekthi në rubrikën “Opinion” në News 24./m.j