Një 45-vjeçar nga Gjermania, i cili kishte ofruar shërbime për kujdesin e fëmijëve në internet, u dënua të martën me akuzën e abuzimit seksual ndaj fëmijëve, një rast ky që tronditi edhe hetuesit dhe i bëri ata të zbulonin shumë të dyshuar të tjerë për abuzim.
Gjykata rajonale në Këln e dënoi të pandehurin, emri i të cilit nuk u bë i ditur për arsye privatësie, me 14 vjet e gjashtë muaj burg. Gjithashtu u urdhërua që ai të mbahej në izolim pas përfundimit të dënimit.
Prokurorët i kishin kërkuar gjykatës një dënim 15-vjeçar, kohëzgjatja maksimale e lejuar sipas ligjit gjerman, duke argumentuar se krimet e të pandehurit ishin të rënda.
Hetuesit thanë se burri kishte dokumentuar abuzimin e foshnjave, fëmijëve dhe adoleshentëve dhe kishte ndarë video dhe imazhe të “brutalitetit të paimagjinueshëm” me dhjetëra njerëz.
Prokurorët e kishin akuzuar burrin për më shumë se 120 raste të abuzimit seksual ndaj 13 fëmijëve midis 2005 dhe 2019. Viktima më e vogël ishte një muajshe.
I pandehuri i pranoi akuzat gjatë gjyqit, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa.
Policia e arrestoi burrin në fund të vitit 2021 në një shtëpi ku jetonte me gruan e tij në qytetin Wermelskirchen. I pandehuri ishte në një video-telefonatë me kolegët e punës në momentin e bastisjes së policisë.
/e.d