Nëntë persona të gjinisë femërore, katër shtetase nga Shqipëria dhe pesë shtetase nga Maqedonia, janë zënë se si i zbavisin mysafirët gjatë kontrollit të mbrëmshëm aksional të policisë në objektin hotelierik “Erdi bos” në fshatin Zhelinë të Tetovës, pronësi e J.F.(39), informoi sot zëdhënësi i SPB Tetovë Marjan Josifovski.
Pas kontrollit të realizuar në periudhën nga ora 1 deri në orën 2 pas mesnate, katër shtetaset nga Shqipëria, të moshës nga 21 deri në 40 vjeç, janë arrestuar dhe mbajtur në SPB Tetovë, ndërsa pastaj janë dorëzuar në Sektorin për krim ndërkufitar, migrime, të huaj dhe riatdhesim për procedurë të mëtejshme. Pesë shtetaset e Maqedonisë nga Shkupi dhe Kumanova pas arrestimit dhe mbajtjes së shkurtër janë lëshuar.
Po ndërmerren masa dhe aktivitete për ndriçimin e plotë të të gjitha hollësive rreth qëndrimit dhe angazhimit të femrave të zëna në objekt dhe përfshirjen e tyre eventuale në prostitucion ose aktivitete të tjera joligjore, theksoi Josifovski.