Artemisa Brahimaj është një paciente e diagnostikuar me paralizë faciale. Sipas fizioterapistit të ftuar në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Ilvi Begolli, paraliza e fytyrës mund të jetë e pjesshme ose e plotë dhe ka më shumë gjasa të prekë femrat, sidomos gjatë periudhës së verës dhe akoma më shumë gratë shtatzëna.
Artemisa shpjegon se rasti i saj ka ndodhur në fundin e trimestrit të dytë të shtatzënisë gjatë verës dhe shkaku ka qenë ndryshimi i temperaturave nga i nxehti në të ftohtë. Fillimisht ajo ndjeu një dhimbje në qafë që e mendoi si dhimbje kronike veshi, por kur u zgjua vuri re se tiparet e fytyrës kishin pësuar një ndryshim të dukshëm.
Artemisa Brahimaj: Rasti im ka qenë rreth fundit të muajit të gjashtë të shtatzënisë dhe ka qenë pikërisht verë, domethënë ka qenë ndryshimi i temperaturës ku unë isha që e shkaktoi, pra ajri i ftohtë.
Katerina Trungu: Që do të thotë nuk ishte shtatzënia?
Artemisa Brahimaj: Jo, nuk ishte shtatzënia por sipas mjekut tim gjinekolog që normalisht u vu në dijeni të situatës, shtatzënia i joshte këto problematika dhe mua më ka ardhur si pasojë e faktit që unë bëra dush, normalisht ishte edhe vapë, në banjë duke tharë flokët mbaja edhe freskuesen sepse normalisht ishin temperatura shumë të larta, shtatzënia më bënte t’i përjetoja akoma më tepër dhe në atë moment, ndoshta edhe pak pakujdesia nuk më bëri të kuptoja sepse nuk isha në dijeni të një problemi të tillë.
Atë ditë çdo gjë shkoi në rregull, ka qenë pasdite kur ka ndodhur episodi ku thaja flokët dhe mbaja freskuesen ku ajri i saj binte komplet te pjesa e djathtë e fytyrës dhe gjatë pasdites, unë isha shumë në rregull, nuk pata asnjë lloj simptome që të shqetësohesha dhe në mbrëmje pasi kishin kaluar disa orë, fillova të kisha një dhimbje te pjesa pas veshit të djathtë. Por duke qenë se unë kam kaluar shpeshherë edhe kur kam qenë e vogël probleme me veshin, dhimbje kronike mendova se thjesht po fillonte një dhimbje veshi e përhershme që e kisha kaluar disa herë.
Ndërsa gjatë natës, në orët e para të mëngjesit kur unë jam çuar për të shkuar në tualet, shikoj në pasqyrë që ana e djathtë e fytyrës ishte komplet e deformuar, pjesa e gojës kishte rënë, pjesa e syrit kishte vështirësi për t’u mbyllur, pra qëndronte e hapur, por duke qenë edhe përgjumësh, duke qenë edhe pjesa që dhimbja vazhdonte, ishte akoma intensive, brenda vetes time vazhdoja të mendoja që ishte akoma thjesht dhimbja e veshit, tashmë një infeksion më agresiv që po më jepte simptomat e tjera.
Ka qenë ditën tjetër kur unë vërtet kisha vështirësi të pija ujin, kisha vështirësi të ushqehesha sepse në momentin që vendosja gotën të pija ujjë, uji derdhej në anën tjetër, pra nuk reagonte aspak ana e djathtë e fytyrës. Kisha vështirësi të mbyllja syrin kur flija, kur bëja dush dhe këto lloj simptomash që po shikoja e pashë që ishin diçka që nuk kishin lidhje vetëm me veshin.
/s.f