Nga Vladimir Karaj
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik të enjten që të apelonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmin në detyrë të prokurores Mariola Mërtiri.
“Ankimi do t’i mundësonte Kolegjit të Apelimit të kryejë një analizë të saktë financiare ku të vlerësohen qartë dhe siç duhet të gjitha çështjet në fjalë; të hetojë dhe vlerësojë çështjet e ngritura lidhur me asetet, aftësitë dhe të shkuarën,” thuhet në rekomandim.
Mërtiri u konfirmua me shumicë votash më 21 dhjetor të vitit që shkoi. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit.
Në pakicë, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja arsyeton se ndërsa veç e veç problemet e gjetura në rivlerësimin e Mërtirit nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin, të marra së bashku ato çonin në shkarkimin e saj dhe se “subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e moscënimit të besimit të publikut”.
Vëzhguesit ndërkombëtare, gjetjet e të cilëve ishin edhe elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua me Mërtirin në dhjetor, kërkojnë rihetim të dosjes.
Në rekomandim, vëzhguesit vënë në dukje se shumica në KPK ka dështuar të kryejë hetim të plotë dhe po ashtu edhe të arsyetojë apo argumentojë vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. “KPK nuk bëri arsyetim në vendimin e saj,” është një frazë që përmendet disa herë në rekomandim.
ONM kërkon që të hetohen dhe vlerësohen lidhjet mes prokurores Mërtiri dhe bashkëshortit të saj me një numër personash të përfshirë në atë që njihet si afera e inceneratorëve. Ndër të tjera, në listë janë kunati i prokurores, Mirel Mërtiri dhe kunata e saj, Stela Gugallja si dhe biznesmeni i shpallur në kërkim, Klodian Zoto; të gjithë persona nën akuzë nga SPAK për korrupsion e pastrim parash.
Vëzhguesit vënë në dukje se pretendimet e Mërtirit se kontaktet me këta persona i kishte pasur para se ata të akuzoheshin dhe se lidhjet ishin ndërprerë, nuk ishin të mjaftueshme.
“Sipas mendimit të vëzhguesve ndërkombëtarë, një sërë faktesh dhe ngjarjesh të dokumentuara në aktet e administruara tregojnë një lidhje të vazhdueshme midis subjektit, burrit të saj, kunatit, kunatës dhe vjehrrit dhe biznesit të tyre, partnerëve/punëdhënësve gjatë viteve,” thuhet në rekomandim.
ONM vë në dukje se këta persona që po hetoheshin nga SPAK ishin në partneritet që në në vitin 2011 dhe në vazhdim dhe po ashtu ishin nën hetim për zbatimin e kontratave koncesionare që lidhen me inceneratorët.
Vëzhguesit vënë në dukje se shpjegimet e Mërtirit për pozicionin e bashkëshortit në kompanitë e krijuara nga të hetuarit dhe pagën e tij nuk janë bindëse. ONM po ashtu vë në dukje se nuk i gjen bindëse pretendimet e Mërtirit se ajo nuk i njihte pronarët e një makine me të cilët kishte udhëtuar, nisur nga lidhjet e vazhdueshme me këta persona.
“E njëjta gjë vlen edhe për pretendimet për mosnjohjen e pronarëve të automjeteve, duke pasur parasysh lidhjet e familjes së bashkëshortit të saj me pronarët ndër vite, punësimin e bashkëshortit të saj në një kompani të lidhur ngushtë dhe të krijuar nga ky grup njerëzish, si dhe përmendjen publikisht të emrave të tyre në kuadër të aferës së inceneratorëve,” thuhet në rekomandim.
ONM kërkon specifikisht edhe rihetim të mundësive të Mirel Mërtirit, kunatit të prokurores, për t’i dhënë asaj dhe bashkëshortit një hua prej 1 milion lekësh në vitin 2011. ONM arsyeton në rekomandim se justifikimet e dhëna nga Mërtiri dhe pranuar nga KPK-ja në shumicë nuk qëndronin.
Sipas vëzhguesve dhe pakicës, marrja në konsideratë e të ardhurave në disa vite, por lënia jashtë e shpenzimeve në periudha të ngjashme ishte e padrejtë dhe se një analizë e re financiare do të gjente bilanc negativ.
Njëlloj ONM kërkon rivlerësim edhe sa i përket transaksioneve mbi një autobus dhe të ardhurat e vjehrrit në Greqi si emigrant. ONM po ashtu kërkon rivlerësim të praktikës së fitimit të kredisë së butë nga Mërtiri, duke vënë në dukje disa kontradikta në shpjegimet e dhëna nga prokurorja.
Sa i përket figurës, vëzhguesit ndërkombëtarë kërkojnë që KPA të rihetojë Mërtirin për mosdeklarim të kontaktit me një person të dënuar për trafik narkotikësh, me të cilin ishte firmosur kontrata e blerjes së një apartamenti. Sipas ONM-së, në rastin në fjalë Mërtiri kishte kërkuar dorëheqje nga një çështje në vitin 2015 me palë këtë person dhe se kjo tregonte se ajo ishte në dijeni të kontaktit, pavarësisht se ka pretenduar që as ajo dhe as bashkëshorti nuk e kishin takuar personin në fjalë.
Vëzhguesit po ashtu i kërkojnë KPA-së që të rihetojë mundësitë e konfliktit të interesit mes Mërtirit dhe Bashkisë së Fierit. Sipas ONM-së, në katër çështje me hetime të pushuara nga Mërtiri dhe palë bashkinë, nuk është e qartë se përse ajo nuk kishte hequr dorë nga dosjet pasi ndërkohë kishte marrë një kredi të butë nga bashkia. Pretendimet e Mërtirit për kohën e kaluar nga kredia e butë, nuk janë cilësuar të mjaftueshme nga ONM.
ONM vë në dukje se në këto dosje nuk janë kryer hetime të mjaftueshme dhe mungon në disa raste arsyetimi për vendimmarrjen që çonte në pushimin e hetimeve.
“Vendimi i mosfillimit ka mungesë të arsyetmit dhe justifikimit dhe mungesë të hetimeve… Nuk është kryer hetimi i nevojshëm dhe as është dhënë arsyetimi i nevojshëm nga subjekti”, thuhet për një nga rastet. Në përfundim, ONM kërkon hetim të plotë të rastit të prokurores në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Report.al