Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, “nuk i del inati” me kryeministrin, Edi Rama. Për këtë ai ka zgjedhur një mënyrë shumë “origjinale”, duke ja nxjerrë inatin Ramës me mosdekretimin në postin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetajn dhe atë të Ministrisë së Ekonomisë, Milva Ekonomi. Një gjest i pandodhur ndonjëherë më parë në marrëdhëniet mes Presidencës dhe Kryeministrisë.
Nishani ka rendur të deklarojë vetëm pranimin e shkarkimit nga posti të Ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe atij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe të mos publikojë dekretimin e ministrave të rinj në kabinetin Rama.
Praktika e instaluar prej vitesh mes Presidencës dhe Kryeministrisë, në harkun e dy dekadave, ka qenë e tillë që, Presidenti ka dekretuar dhe shkarkuar ministrat me propozim të Kryeministrit. Ky proces përgjithësisht ka qenë i qetë, larg komenteve dhe brenda një normaliteti të pazëshëm institucional. Por këtë rradhë Presidenti Nishani zgjodhi një praktikë mjaft “origjinale”. Ai nxori një njoftim për shtyp, ku bënte të ditur vetëm shkarkimin e ministrave, por pa dekretuar ministrat e rinj. Siç vihet re ai e ka ndarë procesin në dy faza. Gjë që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Por përtej argumentave justifikues që kanë të bëjnë me komptencat e Presidentit, ky veprim qartazi duket se është në vijën e përplasjeve të Presidentit Nishani me Kryeministrin Rama, për një gamë të gjerë çështjesh, duke filluar që nga emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve, numri i lartë i ligjeve të rikthyera në Kuvend, mosmarrëveshjet për Reformën në Drejtësi dhe atë Territoriale, e duke përfunduar deri tek fërkimi publik mes dy shtetarëve, lidhur me vizitën e Sekretarit të Shtetit të SHBA, John Kerry.
Rama nuk ngurroi të ironizonte veprimin e Presidentit, i cili doli e priti te shkallët e avionit Sekretarin Kerry, ndërkohë që Presidenti u justifikua se për këtë ishte rënë dakord me palën amerikane. Ka mjaftuar kjo përplasje e re që Presidenti të mos ia falë Ramës. Dhe për këtë ka zgjedhur t’ia nxjerrë inatin ministres që pret të dekretohet, Milva Ekonomi, dhe ministrit, Arben Ahmetaj.
Në këtë mënyrë, duket se çështja e përplasjeve mes tij dhe Ramës e kapërcen elementin e mosmarrëveshjeve parimore, duke marrë ngjyra personale. Një gjest nga ana e kreut të shtetit për të treguar se kush është “zot shtëpie”. Por nga ana tjetër është një gjest i paduhur sepse inatet personale nuk kanë të bëjnë aspak me marrëdhëniet institucionale mes Presidencës dhe Kryeministrisë në një shtet normal demokratik.
(javanews.al) Me. Ar