Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend dhe jo vetëm. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi shprehet se Berisha është i apasionuar pas kaosit, referuar thirrjeve të tij për mosbindje civile, skemë kjo që mund të rrëzonte nga pushteti kryeministrin Edi Rama.
Kështu që i ndodhur përpara kësaj retorike të ashpër, ish-kreu i SHISH thotë se nuk përjashtohet mundësia që në protestën e 11 shkurtit të thirrur nga “Foltorja” dhe Partia e Lirisë të ketë dhunë.
Megjithatë, ai thekson se pushteti nuk merret me dhunë, por me votë të lirë. Ndërkohë zoti Klosi shpreh bindjen se qytetarët nuk e duan rikthenin e kreut të PL, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha në pushtet.
-Zoti Klosi, në Partinë Demokratike prej disa ditësh po zien debati për legjitimitetin e vulës dhe logos së partisë. Sipas jush kush ka të drejtë grupi i ish-kryeministrit Sali Berishës apo i Enklejed Alibeajt?
Po të ishte aq e thjeshtë do ishte zgjidhur. Gjykata ende po vonohet për të dhënë një vendim për Partinë Demokratike, grupi që zyrtarisht ka atribut në Partinë Demokratike është më i vogël se ai tjetri. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është ndarë praktikisht në dy pjesë dhe nga kjo pikëpamje Partia Demokratike është e përçarë, kështu që ky është problemi më i madh.
-Gjithashtu, një tjetër debat ka të bëjë për dosjen “McGonigal”, ku është përfshirë një ish-agjent i FBI dhe kryeministri i vendit tonë Edi Rama. Sipas jush sa i rrezikuar është kryeministri Edi Rama?
Unë them se kryeministri shqiptar nuk është i implikuar meqenëse Rama kanë dashur të bënte një lëshim që donin të bënin lidhur me një pus nafte, nuk është se Edi donte që të korruptonte atë. Nga ato që kanë ndodhur unë kuptoj që ai amerikani për hatër të atyre dy miqve të vet është përpjekur që të korruptoj Edi Ramën që t’i bëjë lëshime për një pus kërkimi nafte.
-Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kanë thirrur një protestë më 11 shkurt, ku kauza është përmendja e emrit të kryeministrit Rama në dosjen e ish-zyrtarit të FBI. A mendoni se qytetarët do të mbushin sheshin dhe do të dalin në protestë?
Aq sa e kanë mbështetur edhe në protestat e tjera. Të gjitha protestat që janë bërë është thënë se ka qenë më e madhja e deklarata të tilla. Fakti që në një protestë të marrin pjesë 20 apo 30 mijë vetë, ndërkohë Sali Berisha të bëjë atë që thotë që do të rrëzojë kryeministrin Edi Rama dhe se do që të vij ai në pushtet, sepse të gjitha këto për këtë gjë bëhen, nuk bëhen se i intereson se çfarë hallesh ka vendi. Edhe Berisha edhe Meta problemin e tyre kanë që të vijnë ata në pushtet, por nuk besoj se do njeri më që të vij Berisha në pushtet.
Në krahasim me 20 mijë apo 30 mijë njerëz që mund të marrin pjesë në një protestë, nuk është e mjaftueshme sepse atij i duhen 900 mijë vota që të vij në pushtet. Unë kam menduar gjithmonë se protestat tregojnë se sa të aftë janë organizatorët, nëse ata punojnë do dalin më shumë njerëz, por që nuk tregojnë se morën shumë njerëz pjesë në një protestë se po të bëhen zgjedhjet nesër fiton ai që ka pasur shumë njerëz në protestë. S’ka asnjë lidhje me numrin e protestuesve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje. Sistemi funksionon mbi bazën e votave që merr një parti.
-Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha kërcënon deri në mosbindje civile, nëse kryeministri Edi Rama nuk dorëhiqet. Sipas jush, a ekziston mundësia që protesta e opozitës të degjerojë në dhunë?
Edhe mundet, të paktën nga thirrjet e Berishës, i cili ka deklaruar se në do ta përmbysin këtë pushtet, sepse përmbysja kërkon dhunë. Nëse protesta do jetë e madhe dhe e dhunshme e do futen në institucione çfarë pastaj do të quhet se morën pushtetin, jo në asnjë mënyrë, pushteti nuk merret më kështu.
Madje në botë protestat nuk i bëjnë partitë sepse partitë përgatiten për zgjedhjet e ardhshme, por protestat i bëjnë sindikatat, i bëjnë shoqatat e ndryshme për qëllime konkrete dhe jo për rrëzimin e qeverisë. Por, këtu tek ne i bëjnë edhe partitë. Pastaj nëse ata kanë vendosur që ta bëjnë të dhunshme mund ta bëjnë, por çfarë do fitojnë nga kjo, ata vetëm gënjejnë njerëzit ë e tyre dhe pastaj policia do arrestojë disa nga ata që kanë ushtruar dhunë.
-A besoni se përgjegjësit e “Gërdecit” do japin llogari para drejtësisë?
Atë e ka marr në dorë dhe SPAK dhe ne shpresojmë që SPAK të jap drejtësi prandaj është krijuar. U mor në pyetje edhe ish-ministri i Mbrojtjes, po ashtu edhe djali i Berishës dhe duhet të presim që SPAK të jap drejtësi.
-Nga ana tjetër, si po e shikoni konfliktin Rusi-Ukrainë. A ka gjasa që lufta të përhapet dhe të shohim një konflikt Nato-Rusi?
Në fakt të gjitha vendet e NATO-s po kontribuojnë në armatime dhe pa ato armatime Ukraina do kishte mbaruar me kohë, por të gjithë udhëheqësit e vendeve të NATO-s thonë se nuk duan që të futen në luftë me Rusinë. Pra ata po e ndihmojnë me armatime që të mbrohet, por që nuk duan që ta hapin një konflikt me Rusinë. Do ishte tragjedi nëse do kishte një konflikt të tillë sepse të dyja palët kanë armë bërthamore, kështu që unë uroj mos të shkoj deri aty.
-Së fundmi, doja t’ju pyes edhe lidhur me kërcënimet që ka bërë Rusia se do të përdor armë bërthamore nëse cenohet integriteti territorial i vendit apo rajonet e aneksuara si Krimeja. Si i shihni këto kërcënime?
Disa herë kanë thënë se do përdorin armë pastaj kanë thënë se do ti përdorim nëse i përdor NATO, por që unë mendoj se i thonë këto për të trembur kundërshtarin, por që unë mendoj se këto që janë thënë janë deklarata të vërteta. Përdorimi i armëve bërthamore do të ishte fundi i botës dhe asnjëri nuk e merr përsipër që të bëhet shkaktari i fundit të botës.
/e.d