Mijëra viktima e të plagosur është bilanci i tërmetit tragjik në Turqi dhe Siri. Të dy vendet vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve dhe trupave të viktimave, por situata në Sirinë veriore është më e dëshpëruese.
Më shumë se 1.400 njerëz janë raportuar të vdekur deri më tani në Sirinë veriore pas tërmetit.
Ekipet e shpëtimit thanë se shumë ndërtesa u dëmtuan ose u shkatërruan dhe se njerëzit ishin të bllokuar nën rrënoja.
Rajoni është shtëpia e miliona refugjatëve të zhvendosur nga lufta civile.
Kontrolli i Sirisë veriore është i ndarë midis qeverisë, forcave të udhëhequra nga kurdët dhe grupeve të tjera rebele, të përfshira në konflikt.
Edhe para tërmetit, situata në pjesën më të madhe të rajonit ishte kritike, me motin e ftohtë, infrastrukturën e shkatërruar nga lufta civile dhe shpërthimin kolerës.
Pjesa më e madhe e Alepos u shkatërrua në luftën civile, e cila shpërtheu në vitin 2011 kur një kryengritje paqësore kundër presidentit Bashar al-Assad u shndërrua në dhunë.
Qyteti ka pasur infrastrukturë të rrënuar, ndërtesa të shkatërruara dhe ndërprerjet e energjisë elektrike ishin të zakonshme para tërmetit.
Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën lokale 04:17 në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep.
Dymbëdhjetë orë më vonë, një tërmet i dytë, i cili ishte pothuajse po aq i madh, goditi 130 km në veri.
Disa banorë të Aleppos thanë për Reuters se nuk kanë ku të shkojnë, sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe kanë frikë nga pasgoditjet.
Një zëdhënës i Helmetave të Bardha e përshkroi Sirinë veri-perëndimore si një “zonë fatkeqësie” dhe tha se familjet mbetën të bllokuara nën rrënoja.
Një burrë në qytetin e Jandairis tha për agjencinë e lajmeve AFP se kishte humbur 12 anëtarë të familjes së tij në tërmet. Një tjetër tha se disa nga të afërmit e tij ishin të bllokuar nën rrënoja.
“Ne dëgjojmë zërat e tyre, janë ende gjallë, por nuk ka asnjë mënyrë për t’i nxjerrë jashtë. Nuk ka njeri që t’i shpëtojë. Nuk ka makineri”, tha ai.
Në zonat e kontrolluara nga qeveria, të gjitha shërbimet e urgjencës të vendit janë vënë në dispozicion, duke përfshirë ushtrinë dhe studentë vullnetarë.
Por kjo nuk mjafton për tu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, një organizatë bamirëse në zonat e kontrolluara nga opozita në Siri, tha se tashmë vendi po përballej me shpërthimin e parë të kolerës në një dekadë dhe po përgatitej për afrimin e stuhive të borës para goditjes nga tërmeti.
Mot ii ftohtë dhe shiu i rrëmbyer pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. Mark Kaye, drejtori i organizatës për mbrojtjen e Lindjes së Mesme, e përshkroi situatën si një “krizë brenda një krize” dhe tha se pjesë të mëdha të rajonit nuk mund të kontaktojnë për shkak të dëmtimit të rrjeteve të komunikimit.
Mund të duhet gjithashtu kohë që ndihma ndërkombëtare të mbërrijnë në zonat e prekura. Siria veriperëndimore është bërë një nga vendet më të vështira për t’u arritur, me vetëm një vendkalim të vogël në kufirin turk në dispozicion për të transportuar burime në zonat e kontrolluara nga opozita.
/e.d