Mbrëmjen e së dielës u transmetua Galaja e Festës së Fenerëve 2023 e CMG-së. Pas Galasë së Festës së Pranverës, kjo gala e CMG-së ndezi edhe një herë shumë ekrane në mbarë botën dhe shumë monumente të njohura brenda dhe jashtë Kinës, duke u dërguar bekimet dhe urimet e Vitit të Ri miliona familjeve.
Tema kryesore e Galasë së Festës së Fenerëve të CMG-së këtë vit ishte “Gëzim e fatmirësi”. Pjesët e shkëlqyera të galasë, si këngët, operat tradicionale, ushtrimet akrobatike, artet tradicionale kineze etj. shpërshfaqën atmosferën e festës.
Prodhimi i ri i ansamblit folklorik kinez “Qindra feniksë fluturojnë drejt diellit”, ose “Baifengchaoyang” në kinezishte, kombinon instrumentin tradicional kinez suona me orkestrimin rok&roll, duke bërë një ndërthurje delikate të hijeshisë së muzikës klasike kineze me muzikën moderne. Versioni i ri i interpretimit të melodisë “Një natë me lule të çelura dhe hënë të plotë” kombinon dy arte folklorike kineze për këtë festë që simbolizon ribashkimin familjar, lumturinë dhe harmoninë. Interpretimi i mrekullueshëm nga ekipi kinez i gjimnastikës artistike bashkoi bukurinë dhe forcën. Anëtaret e ekipit shpërfaqën vetëbesim me lëvizjet e tyre. Performanca tërheqëse dhe shprehëse tregoi hirin e gjimnasteve kineze.
Galaja e Festës së Fenerëve ka bashkuar artet me teknologjinë, duke realizuar integrimin e prodhimit për televizion dhe medien e re. Përdorimi i teknologjive të reja, si AR, XR, video e audio 3D etj., e ngriti më shumë cilësinë e efekteve pamore në skenë.
Krahas kësaj, në Galanë e Festës së Fenerëve u shfaqen fenerët e kuq të stileve të krahinave të ndryshme të vendit, të përfshirë në listën e trashëgimive kulturore jomateriale kombëtare, si dhe u transmetuan drejtpërdrejt skena të kremtimit të Festës së Fenerëve në krahina të ndryshme kineze.
Galaja e Festës së Fenerëve e CMG-së u transmetua të dielën, më 15 janar sipas kalendarit hënor kinez, nëpërmjet televizionit, radios, platformave të medias së re, si interneti etj., për shikuesit e të gjithë globit. Njëkohësisht, ajo u shfaq në ekranet e mëdha publike me qartësi të lartë në rreth 500 qytete kineze.
Festa e Fenerëve kremton hënën e parë të plotë sipas kalendarit hënor. Siç e tregon edhe emri i tij, ajo është një festë për të parë dritat, për të pritur të mirën e të bukurën dhe për të larguar errësirën e të keqen, gjatë së cilës organizohen aktivitete të larmishme, si shikimi i fenerëve, gjëegjëzat, ngrënia e ëmbëlsirës tradicionale yuanxiao etj.
Viti i Ri Hënor Kinez, ose Festa e Pranverës fillon në ditën e parë sipas kalendarit tradicional hënor kinez dhe përfundon 15 ditë më vonë, me Festën e Fenerëve.