Nga Ilir Yzeiri
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture një etnike me kompetenca ekzekutive. Tani në fund ajo ka vendosur edhe gjashtë kushte për ta njohur atë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 mbi parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të tij janë: ushtron veprimtarinë e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron veprimtarinë e plotë në fushën e arsimit; ushtron veprimtarinë e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata deri edhe tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet e tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Asociacioni i komunave serbe, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Qëndrimi i Beogradit ndaj Prishtinës, armiqësor! 3 kushtet që shmangin rreziqet
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen. Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues të dialogut Kosovë-Serbi, kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociaionin. Javëve të fundit, këto kërkesa janë intensifikuar, bashkë me thirrjet për hapa konkretë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në muajin dhjetor, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se formimi i Asociacionit është detyrim për Kosovën, për Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetëusar negociimin e tij. Nëse Qeveria e Kosovës s’do të marrë pjesë, SHBA-ja do ta diskutojë atë me “partnerët alternativë”, ka thënë Escobar.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të kërkojë “zgjidhje të vështira” dhe “guxim politik”. Një një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Ramush Haradinaj tha mes të tjerash se çështja e Asociacionit ka fituar peshë me zhvillimet e fundit, pra krizat e njëpasnjëshme në veri dhe tensionet atje.
Kjo është mundësia e vetme, nuk ka rrugë tjetër as Kosova as palët e tjera për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, pa i dhënë një epilog çështjes së Asociacionit. Asociacioni për Kosovën është një obligim i marrë me kohë, por, për fat të mire, është obligim kushtetues dhe ligjor, pra nuk del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Është koha më serioze që kemi pas ndonjëherë. Duhet të tregojmë seriozitet dhe nuk guxojmë të bëjmë përllogaritje të vogla. Duhet ta ndihmojmë vendin, të ndihmojmë aleatët tanë, në këtë rast posaçërisht Uashingtonin, që t’i kalojmë pengesat, pra t’i zgjidhim të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura, në mënyrë që të arrijmë tek marrëveshja përfundimtare. Personalisht i jap një përkrahje këtij procesi dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë. Përmbajtja që i jep plani franko-gjerman zgjidh të gjitha problemet Kosovë-Serbi. Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, por nuk vendos marrëdhënie dypalëshe, por hapet perspektiva e Kosovës për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Pra është një mundësi reale për t’u “divorcuar” përjetësisht me Serbinë. Njohja është realisht në çdo kapitull të kësaj marrëveshjeje, por nuk e ka klauzolën e njohjes në marrëdhënie dypalëshe, por Serbia e njeh Kosovën në rrafshin ndërkombëtar. Para disa ditësh në shtypin e Kosovës rrodhi një material i brendshëm, një analizë e statusit aktual të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës, shkruar nga ambasadori i Kosovës në Uashington për Ministrinë e Jashtme, ku vihet në dukje se dyert në Uashington nuk janë më aq të hapura për zyrtarët nga Kosova. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti sot ka marrëdhëniet më të vështira me SHBA-të dhe siç duket ajo po vijon të fshihet pas retorikës nacional-majtiste dhe nuk ka vullnet të dëgjojë aleatin strategjik të shqiptarëve që janë SHBA-të, të cilët kanë siguruar se nuk do të lejojnë kurrë që të preket pavarësia e Kosovës dhe të krijohet modeli i Republikës ‘Srbska’ të Bosnjës edhe në Kosovë. I gjendur përballë kryqëzimit të “fuoco d’amico”, zjarrit që të vjen prej miqve, Albin Kurti duket se nuk është më faktor për zgjidhjen e problemeve që lidhen me të ardhmen e Kosovës. Ai po bëhet problemi për të ardhmen e Kosovës.
Albin Kurti në Kosovë dhe Sali Berisha & Ilir Metaj në Shqipëri, kanë përfunduar të njëjtën shkollë sllavo-majtiste anarkiste agresive…
Ruhu kur ta fut “i joti” se nga të tjerët ruhesh vetë.