Në përfundimi të mbledhjes së Qeverisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, foli për dy vendime të miratuara që lidhen me lëvizjen e lirë dhe forcimin e bashkëpunimir rajonal.
“I pari ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shtetasve në Ballkanin Perëndimor vetëm me ID. Është një marrëveshje që është nënshkruar në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të vijnë dhe qarkullojnë lirshëm në Shqipëri vetëm me ID. Kjo marrëveshje është në frymën e dy nismave shumë të rëndësishme për forcimin e rajonit, dhe Ballkanit Perëndimor, të Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur”, deklaroi ministri Çuçi.
Sa i përket vendimit të dytë, lidhet me bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për krijimin e “Task Forcave” për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
“Është një marrëveshje që duhet të ratifikohet në Parlamentin e Shqipërisë, kështu që sot miratuam vendimin e qeverisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të krijojmë “Task-Forca” që do të adresojnë konkretisht çështje të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe që i takojnë të dy vendeve, dhe ku përcaktohen të gjitha modalitetet e këtij bashkëpunimi. Është një marrëveshje që na sjell akoma më afër me fqinjin tonë. Ne tashmë kemi një eksperiencë goxha të madhe me “task-forcat” apo me grupet e përbashkëta të hetimit dhe operacionale me vendet e Europës. Vetëm vitin që kaloi kemi pasur mbi 20 të tilla, operacione të përbashkëta me policisë partnere të Europës. Kështu që tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut krijojmë infrastrukturën ligjore për të pasur bashkëpunime të kësaj natyre”, u shpreh ministri Çuçi.
Një vendim tjetër i miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë, ka të bëjë me miratimin e Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda për vitet 2023-2025, një plan-veprimi i detajuar, që është parë dhe dizenjuar me shumë kujdes, edhe në koordinim me partnerët tanë.
“Nga të rejat, në Planin e Veprimit mund të veçoja krijimin e Agjencisë për Rikuperimin e Aseteve apo për trajnimin në mënyrë të gjerë në fushën kibernetike. Eshtë një plan që besoj se do ta çojë në një stad tjetër; janë përcaktuar veprime të caktuara me afate konkrete që do të çojnë në një stad tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda”, deklaroi ministri Çuçi.
/e.d