Me investigimin e fundit të bërë publik nga Kryemadhi është e qartë se në krye të këtij mashtrimi është Edi Rama
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte i ftuar në Debat nga Alba Alishani, ku ndër të tjera u pyet edhe për çështjen e inceneratorëve, për të cilën Monika Kryemadhi u paraqit në SPAK këtë të martë për të dëshmuar.
Meta u shpreh se investigimi i fundit i Kryemadhit ka zbuluar qartazi se në krye të këtij mashtrimi është Edi Rama.
“Ish-LSI dhe Partia e Lirisë kanë qenë pararendëse për të zbardhur aferën e shekullit. Kjo është një histori që daton që në shkurt apo mars të vitit 2021. Në mënyrë të vazhdueshme Partia e Lirisë apo ish-LSI ka bërë shumë hapa para drejtësisë, e cila ka ecur me një vonesë të jashtëzakonshme duke relativizuar përgjegjësinë e personave kryesorë në këtë çështje. Me investigimin e fundit të bërë publik nga Kryemadhi është e qartë se në krye të këtij mashtrimi është Edi Rama. Kjo është një aferë e mirëdokumentuar në të gjitha aspektet. Në vazhdimësi pranë Partisë së Lirisë vijnë informacione jo vetëm për këtë aferë. Pagesat e paligjshme vazhdojnë dhe është alarmante që të ndërpriten menjëherë nga institucionet e drejtësisë. Informacionet vazhdojnë të shtohen brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm për këtë aferë, por edhe për afera të tjera. Prandaj, në muajin gusht i kam bërë thirrje zyrtarëve të administratës që të jenë të kujdesshëm kur firmosin pasi Rama e ka pasion që për aferat e tij të marrë në qafë sa më shumë njerëz”, tha Meta.
/a.r