Zëvendëskryetari i PD-së shprehet hapur te JavaNews.al për gabimet e sotme të qeverisjes Rama dhe se pse reformat e tij nuk po japin impakt, por nga ana e tij shpjegon edhe arsyen e vërtetë sepse të Djathtët nuk mundën të bëheshin më të besuar…
Intervistoi Ben Andoni
Për z. Edmond Spaho, nën/kryetarin e Parlamentit shqiptar, gjërat janë të qarta. Humbja e një mandati të tretë erdhi si rezultat i pamjaftueshmërisë së ndjeshmërisë së niveleve të ndryshme të forcës së tij politike. Javanews ka insistuar në modelin ekonomik të zgjedhur nga forca e tij e politike, por specialisti i njohur mendon se veç krizës ekonomike, me të cilën qeverisja e Djathtë u has në kulmin e saj u përball edhe me vështirësi subjektive: “më shumë se sa gabime në zgjedhjen e politikave të përshtatshme ekonomike mendoj se rezultati i zgjedhjeve duhet t’i atribuohet humbjes së ndjeshmërisë ndaj vështirësive me të cilat po përballeshin qytetarët, shurdhërisë të niveleve të ndryshme të qeverisjes, të cilët krijuan hendek me ta dhe u prekën nga sëmundja e mandatit të dytë. Procesi i legalizimit, kompensimit të ish pronarëve apo të përndjekurve politike megjithë përmirësimet në vitin e fundit influencuan në sjelljen e qytetarëve në zgjedhjet e viti 2013”.
Në këtë intervistë, veç kësaj, pjesa bazë ka qenë me modelin ekonomik që Shqipëria po zgjedh nën drejtimin e kryeministrit Rama, por edhe gabimet e tij të shumta. Për z. Spaho koncensionet për shërbime që shqiptarët nuk i kërkojnë duket absurde! “Ndërkohë që Zoti Rama rriti tatimin mbi fitimin e bizneseve me 50% mbi normën ekzistuese. A kemi pas kësaj mase më shumë të ardhura në buxhet, më shumë investime publike dhe më shumë vende të reja pune? Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se po mbledhim më pak të ardhura, po investojmë fare pak në punë publike, madje edhe atje ku investohet është për t’u vënë në dyshim efektiviteti i tyre dhe për rrjedhojë njerëzit detyrohen të emigrojnë sepse këtu nuk gjejnë mundësi për të jetuar”, shprehet ai..
Dhe, nën drejtimin e tij, goditjen më të madhe e ka hasur klasa e mesme me masat e marra, që po e varfëron atë në një nivel tejet të madh, pasi barra fiskale mbi shpatullat e saj është rritur tej mase. E gjithë kjo të çon në një dështim sipas tij…
Politika e sotme e taksave dhe ajo fiskale kanë sjellë shumë varfëri në Shqipëri. Ku i mendoni pikat e dobëta të modelit ekonomik të sotëm të qeverisë Rama?
“Nuk e di, a mund të quhet model ekonomik, pasi zoti Rama ndryshe flet dhe krejt ndryshe vepron. Jo se në politikë në të shkuarën nuk ka pasur diferenca ndërmjet premtimeve dhe realitetit por sjellja e zotit Rama është e pashoqe.
Ai ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë me mburrje që i ka ulur taksat për 97% të shqiptarëve por pa dhënë shpjegime se kush po e paguan rritjen e taksave të vitit 2014 prej 200 milion $, kush po e paguan rritjen e taksave të vitit 2015 prej 160 milion $ dhe kush do paguajë rritjen e taksave të këtij viti prej 20 milion $.
Nëse rrit taksën mbi qarkullimin dy vjet rresht me nga 120 Lekë për litër naftë për çdo vit është jo logjike të pretendosh që këtë rritje e paguajnë 3% e shqiptarëve, të cilët qenkan të pasur. Karburanti jo vetëm përdoret gjerësisht nga popullsia por është një element i rëndësishëm i kostos të shumë produkteve. Për rrjedhojë, pavarësisht retorikës të Kryeministrit jemi ne ata që e përballojmë këtë masë me buxhetet tona familjare duke u varfëruar.
Zoti Rama rriti tatimin mbi fitimin e bizneseve me 50% mbi normën ekzistuese. A kemi pas kësaj mase më shumë të ardhura në buxhet, më shumë investime publike dhe më shumë vende të reja pune? Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se po mbledhim më pak të ardhura, po investojmë fare pak në punë publike, madje edhe atje ku investohet është për t’u vënë në dyshim efektiviteti i tyre dhe për rrjedhojë njerëzit detyrohen të emigrojnë sepse këtu nuk gjejnë mundësi për të jetuar.
A është e udhës që një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit të përdoret për të paguar koncensione për shërbime, të cilat në shumë raste qytetarët nuk i kërkojnë? Cila është dobia e koncensionit të Check-up kur edhe vendet e zhvilluara nuk e praktikojnë atë? Janë disa koncensione me vleftë rreth 400 milion $ dhe 70 të tjera në proces me vleftë 3.3 miliardë dollarë, të cilët ngarkojnë buxhetin dhe është e vështirë t’u llogaritësh përfitimin e ekonomisë dhe qytetarëve. Këto para mund të përdoreshin në drejtime të tjera më fitimprurëse”.
Cili grup shoqëror po e mban barrën më të madhe të këtyre masave?
“Nëse do shihni me kujdes gjatë dy viteve të fundit është goditur veçanërisht shtresa e mesme duke rritur barrën e saj fiskale. Shtresa e mesme është ajo që kryen pjesën më të madhe të konsumit. Asaj ju rrit tatimi mbi të ardhurat personale nga 10% në 13-23%, u rrit me 50% mbi normën ekzistuese tatimi mbi qiratë e banesave, tatimi mbi transaksionet e shitblerjes dhe trashëgimisë, tatimi mbi shtëpitë e dyta, u rrit me 150 Euro më shumë taksa e makinave mbi 3000cc, u rritën me 3-4 herë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të gjithë profesioneve të lira pa llogaritur influencën e taksave të tjera që prekin të gjithë shtresat e shoqërisë.
Pavarësisht se si i paraqet zoti Rama me demagogjinë e tij këto lëvizje, ato janë mirëfilli masa shtrënguese dhe në të gjithë vendet në vështirësi ekonomike masat shtrënguese nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme përkundrazi kanë rritur barrën mbi ekonominë, mbi qytetarët dhe kanë ngadalësuar rimëkëmbjen”.
A mund të shfrytëzohej kriza për një katarsis të ekonomisë shqiptare?
“Ne e kemi provuar dy herë vitin zero, në fillim të viteve 90, ku shkatërruam çdo gjë të sistemit monist dhe me piramidat. Në vend që të mundohemi për përmbysje të thella ndoshta do ishte më mirë që të përpiqeshim të evitonim diletantizmin, euforinë, krefosjet dhe mburrjet boshe se çdo gjë fillon për së mbari kur vjen ky apo ai. Një çikë me shumë përgjegjësi do sillte shumë më shumë të mira për këdo”.
Ku mendoni se gaboi kryesisht politika ekonomike e PD-së?
“Nëse e keni fjalën për humbjen që pësuam në vitin 2013 nuk mendoj se rezultati negativ duhet t’i atribuohet kryesisht politikave të gabuara ekonomike megjithëse ekonomia pati pjesën e vet.
Kriza botërore influencoi dhe i frenoi ritmet e rritjes por modeli i taksës së sheshtë, përmirësimit të ambientit të biznesit, zhvillimi i infrastrukturës, arsimit apo reforma të tjera strukturore patën efekt nxitës dhe pozitiv. Deri në fillimin e krizës ekonomike botërore, e cila koinçidoi me fitimin e mandatit të dytë qeverisës punët shkuan mjaft mirë dhe Shqipëria përbënte shembull për rajonin.
Në mandatin e dytë influenca e krizës u thellua nga disa privatizime jo të suksesshme, si ai i sektorit të shpërndarjes të energjisë apo Albpetrol-it. Mosrealizimi i të ardhurave në periudhën e fundit të mandatit të dytë shtoi disa taksa indirektë, rriti detyrimet e papaguara ndaj sektorit privat, nuk lejoi likuidimin e borxheve të institucioneve shtetërore ndaj sektorëve të energjisë dhe ujit dhe ngurtësoi investimet publike. Mund të ketë edhe shembuj të tjerë.
Për t’u kthyer tek pyetja juaj, më shumë se sa gabime në zgjedhjen e politikave të përshtatshme ekonomike mendoj se rezultati i zgjedhjeve duhet t’i atribuohet humbjes së ndjeshmërisë ndaj vështirësive me të cilat po përballeshin qytetarët, shurdhërisë të niveleve të ndryshme të qeverisjes, të cilët krijuan hendek me ta dhe u prekën nga sëmundja e mandatit të dytë. Procesi i legalizimit, kompensimit të ish pronarëve apo të përndjekurve politike megjithë përmirësimet në vitin e fundit influencuan në sjelljen e qytetarëve në zgjedhjet e viti 2013”.
A mendoni se rishikimi i kontratave koncensionare nga MEI do ta ndihmojë shtetin tonë?
“MEI ka dy vite qe pretendon të rishikoje koncensionet e dhëna nga qeverisja e Djathtë sidomos ato për ndërtimin e HEC-ve. Ka një dallim thelbësor midis koncensioneve të dhëna nga qeverisja e Djathtë dhe atyre që po jepen sot.
Koncensionet e dhëna nga qeveria jonë kanë qenë të kufizuara në numër me përjashtim të sektorit të energjisë. Këto koncensione janë financuar tërësisht nga sektori privat pa shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe kanë synuar shërbime të domosdoshme për qytetarët dhe ekonominë. Koha po tregon që qeveria e Majtë nuk po i rishikon në tërësi koncesionet e dhëna para viti 2013 sepse nuk ka se çfarë të rishikojë përveçse kur përfshihen interesa klienteliste”.
***
Ku gaboi PD?
“Në mandatin e dytë influenca e krizës u thellua nga disa privatizime jo të suksesshme, si ai i sektorit të shpërndarjes të energjisë apo Albpetrol-it. Mosrealizimi i të ardhurave në periudhën e fundit të mandatit të dytë shtoi disa taksa indirektë, rriti detyrimet e papaguara ndaj sektorit privat, nuk lejoi likuidimin e borxheve të institucioneve shtetërore ndaj sektorëve të energjisë dhe ujit dhe ngurtësoi investimet publike. Mund të ketë edhe shembuj të tjerë.
E më shumë se sa gabime në zgjedhjen e politikave të përshtatshme ekonomike mendoj se rezultati i zgjedhjeve duhet t’i atribuohet humbjes së ndjeshmërisë ndaj vështirësive me të cilat po përballeshin qytetarët, shurdhërisë të niveleve të ndryshme të qeverisjes, të cilët krijuan hendek me ta dhe u prekën nga sëmundja e mandatit të dytë. Procesi i legalizimit, kompensimit të ish pronarëve apo të përndjekurve politike megjithë përmirësimet në vitin e fundit influencuan në sjelljen e qytetarëve në zgjedhjet e viti 2013”.
Si po e varfëron Rama, klasën e mesme?
“Nëse do shihni me kujdes gjatë dy viteve të fundit është goditur veçanërisht shtresa e mesme duke rritur barrën e saj fiskale. Shtresa e mesme është ajo që kryen pjesën më të madhe të konsumit. Asaj ju rrit tatimi mbi të ardhurat personale nga 10% në 13-23%, u rrit me 50% mbi normën ekzistuese tatimi mbi qiratë e banesave, tatimi mbi transaksionet e shitblerjes dhe trashëgimisë, tatimi mbi shtëpitë e dyta, u rrit me 150 Euro më shumë taksa e makinave mbi 3000cc, u rritën me 3-4 herë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të gjithë profesioneve të lira pa llogaritur influencën e taksave të tjera që prekin të gjithë shtresat e shoqërisë”.