Ambasadorja e SHBA-së ne Tirane, Yuri Kim, ka zbardhur detaje nga takimi.
“Që nga dhjetori 2022, Gjykata Kushtetuese është kompletuar me 9 gjyqtarë. Arritje madhore për reformën në drejtësi, e cila mbështetet fuqishëm nga SHBA.
Një nder të takoj të gjithë gjyqtarët sot për të uruar sukses në zgjedhjen e një shefi të ri dhe në dhënien e drejtësisë me pavarësi dhe integritet, në përputhje me ligjin”, shkruan Kim.
Vetë Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka mbajtur një mbledhje të posaçme dhe ka vendosur fillimin e procedurave per zgjedhjen e kryetarit te ti, duke i hapur rrugë edhe depozitimit të kandidaturave.
Zgjedhja e kryetarit të Kushtetueses
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.
Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short. Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit./m.j