Xhulio Vela, 27 vjeç, është vënë në pranga nga policia. I riu u kap pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka caktuar ndaj tij masën arrest me burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Vela akuzohet për ngjarjen që ka ndodhur në Tetor të vitit 2021 në Tiranë. Një sherr mes disa personave rezultoi në përdorimin e armëve dhe mbetën të plagosur ai vetë, bashkë me Aleksandër Nikollën.
Ngjarja e ish-Parkut
Ngjarja në fjalë ndodhi në rrugën “Frosina Plaku”, ose siç njihet ndryshe si zona e ish-Parkut të autobusëve. Daniel Manushi, Islam Xhetani dhe Farjon Palushi janë përfshirë në sherr me Aleksandër Nikollën dhe Xhulio Velën. Ata po prisnin radhën te berberi, kur pas një konflikti verbal nisën të godasin njëri-tjetrin. Më pas Farjon Palushi qëlloi me një pistoletë ndaj Nikollës e Velës.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 5 gëzonja pistolete. Dyshimet ishin që përplasja mund të ketë qenë e lidhur me shpërndarjen e drogës, pasi disa nga personat e përfshirë kanë precedentë penalë në fushën e narkotikëve.
Farjon Palushi ka qenë i arrestuar mw parw si pjesë e një rrjeti shpërndarje të lëndës narkotike, kryesisht të kanabisit në zonën e ish-Parkut dhe duhet të ishte në “Arrest shtëpie”, por lëvizte lirshëm në rrugët e lagjes.
Daniel Manushi, rezultoi i dënuar pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të një efektivi policie, duke e plagosur rëndë. Edhe Aleksandër Nikolla dhe Xhulio Vela rezultojnë të jenë të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në zonën e ish-Parkut.
/a.r