Pas divorcit të prindërve kur Regisa ishte vetëm 10 vjeç, ajo nisi të lidhej më fort me nënën e saj, të cilës iu bë krah për ta ndihmuar me të birin autik. Regisa është më e vogël se Niko, por ajo ka qenë gjithnjë mikja dhe mbrojtësja e tij. Sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, Regisa ka ftuar nënën dhe vëllanë e saj për t’i thënë dy fjalë pas gjithë vështirësive që familja ka kaluar.
Regisa: Niko, përveçse që të solla këtu që të takoje Arditin, idhullin tënd, të solla të të them që gjithmonë do jem pranë teje, sa herë të kesh nevojë unë do jem aty të të mbroj. Në çdo etapë të jetës tënde, në çdo hap të jetës tënde, unë do të ndihmoj dhe do të shtyhem përpara me ty. Kurse mami, që unë nuk është se e shpreh dashurinë shumë me fjalë dhe ti e di, e para njëherë të kërkoj falje për këtë, në qoftë se ndonjëherë e kam shprehur dashurinë në mënyrat e mia dhe dua të të falënderoj pafund për çfarë ke bërë për Nikon dhe për mua, pavarësisht se çdo fëmijë mund ta thotë, jo se jemi ne, por ke rritur dy fëmijë të mrekullueshëm dhe ia ke dalë mbanë e vetme dhe për këtë jam shumë krenare për ty. Për çdo gjë që ti po bën për fëmijët me spektrin e autizmit sot që t’i çosh përpara dhe pse ndonjëherë, iu kërkoj ndjesë të gjithë fëmijëve me autizëm, jam bërë xheloze sepse kam menduar që të kanë marrë prej meje, por jam shumë krenare që ti je prindi im.
/s.f