Nga Kreshnik Spahiu
Sot dhjetëra qytetarë kanë marshuar drejt fshatit Kashar, në afërsi të ambienteve ku po zhvillohet “Reality Show” shqiptar i quajtur Big Brother VIP. Aq larg ndodhet Kashari dhe studio sa nëse do të protestonte ndonjë parti politike, vështirë se ndokush do e gjente dot adresën mes labirintheve të xhunglës së ndërtimeve pa leje.
Pavarësisht forcave policore, njerëzit shkuan të mbështesin Luizin, një nga banorët e Big Brother, i cili kishte vite që ishte harruar nga opinioni publik, sepse shkëlqimi i tij ishte venitur më shumë se një dekadë nga zëri i tij i talentuar.
Të martën dhe të shtunën askush nuk ndjek më debate politike, sepse 99% e publikut ndjek realitetin shqiptar në ekran. Programi quhet BB-VIP, ndonëse në kuptimin klasik, brenda s’ka asnjë Very Important Person (Person shumë të rëndësishëm).
Gjithsesi Olta, Luizi, Tea, Kjevina, Kiara në sytë e popullit duken persona më të rëndësishëm se Monika, Saliu, Iliri, Edi apo Alibeaj. Opozita shqiptare që ditën kur rrahën me grushta Berishën në Bulevard nuk ka dalë më në protesta.
– Në Korrik i shtyn protestat sepse shkuan në plazh
– Në vjeshtë i shtynë protestat sepse filloi Kampionati Botëror
– Në dimër i shtynë protestat sepse do hanin gjelin dhe bakllavanë e Vitit të Ri.
– Ndërsa tani i kanë shtyrë deri sa të mbarojë Big Brother.
Thirrjet e Saliut për revolucion janë bërë aq qesharake sa sot morën përgjigjen e merituar.
Populli ngrihet për Luizin e Big Brother, por jo për hallet personale të Sali Berishës. Askush nuk është çmendur që të sakrifikojë dhe të humbasë 2 orë nga jeta e tyre për të dalë në shesh për Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Shqiptarëve ju duket më me interes të gozhdohen 4 muaj para ekranit, duke parë hiret e Oltës dhe format e Kejvinës sesa të dëgjojnë 4 orë në protestë përrallat e xhaketave të vjetëra të opozitës. Realiteti në Big Brother i motivon më shumë sesa aktrimi i liderëve jashtë mode i opozitës.
Aq rëndë është shpresa për një të ardhme politike në Shqipëri, sa që teatri mediatik është më motivues sesa banaliteti politik.
Erdhi dita në Shqipëri, që Sali Berisha të ketë më pak mbështetës se Luizi, sepse po ta krahasosh me Oltën dhe Kejvinën, ka vite që e ka humbur garën mediatike dhe publike…..
Prisni se s’keni parë gjë akoma…..
Do vijë dita që populli të “Përputhet” më shumë me Borën dhe Nebiun sesa me Saliun.