Dy persona janë vënë në pranga në Krujë gjatë një aksioni të koduar “Përshtatja”, pasi në një lokal konsumohej lëndë narkotike kanabis dhe kokainë.
24-vjeçari me iniciale F.SH., tashmë i arrestuar, kishte marrë me qira një lokal dhe e kishte përshtatur për përdorim të kanabisit dhe kokainës. Policia arrestoi edhe kamarierin e lokalit, A.B. 35 vjeç.
Ndërsa një klient, D.S. 23 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke konsumuar lëndë narkotike, u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga 24-vjeçari u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 qese farmaceutike me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një pjatë porcelani, me mbetje të kokainës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasve F. Sh. dhe A. B., ndërsa në ngarkim të shtetasit D. S., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
/a.r