Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka reaguar pas deklaratave të deputetit Ben Blushi se zgjedhjet e delegatëve të KOngresit po trukohen. Peleshi tha se procesi është transparent dhe demokratik.
Ai ka ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve për delegatët e PS-së në qarkun e Korçës. Për “News24”, Peleshi tha se zgjedhjet për strukturat e PS janë një proces i hapur dhe demokratik në mbarë vendin. Sipas tij, për të zgjedhur delegatët nuk është përzgjedhur një trupë anëtarësh që kanë të drejtën e votës, por këtë të drejtë e kanë ushtruar të gjithë anëtarët.
“Procesi i zgjedhjeve është i hapur dhe demokratik. Përmes këtij procesi, po marrim hap emancipues. Nga ky proces, do konkretizohet kongresi i 19 marsit. Pjesëmarrja e lartë, kaloi pritshmëritë tona. Procesi i riorganizimit të PS, filloi që në shtator. Listat nuk janë të hartuara nga një individ i vetëm. Nuk ka patur ankesa për mos gjetje emri në lista. Është një proces demokratik, 1 anëtarë 1 votë”, tha Peleshi.