Qindra qytetarë të Shkupit me slloganin “Sa këpucë ngelën të paveshura”, në shenjë proteste u grumbulluan para godinës së qeverisë së Maqedonisë duke sjellë me vete edhe këpucë nga të afërmit e tyre, të cilët kanë emigruar jashtë vendit.
Sipas organizatorëve arsyet e këtij eksodi modern dhe emigrimi masiv nga Maqedonia janë gjendja e rëndë ekonomike dhe përkeqësimi i përgjithshëm në të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë. Ata kërkojnë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e këtij emigrimi masiv.
Sipas organizatorit të protestës, nga Maqedonia janë larguar më tepër se 600 mijë njerëz, prej të cilëve 100 mijë janë të rinj. Organizatorët i kërkojnë qeverisë së Maqedonisë marrjen e masave për parandalimin e këtij emigrimi masiv.
“Mesazhi është i qartë, ky është një simbol i të gjithë të afërmve të cilët kanë emigruar nga Maqedonia. Arsyeja e protestës para qeverisë është se jemi të vetëdijshëm se ky numër i madh emigrimi është rezultat i politikave të këqija të qeverisë, veçanërisht për arsye të varfërisë, papunësisë”, tha Ines Efremova e shoqatës ‘Meritojmë më mirë’.
Këpucët, që janë në gjendje të mirë do t’u dhurohen refugjatëve, të cilët kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë, ndërsa këpucët e mbetura do të bëhen pjesë e artit kushtuar migrimit.