Me rastin e Krishtlindjes, Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, ishte në Nënshat të Shkodrës për të certifikuar një nga objektet e Kultit Katolik dhe pikërisht Kuvendin Karmelitan të Nënshatit.
Padre Marciani, frati Italian i këtij Manastiri që prej 20 vjetësh jeton aty, përveç falenderimeve për përfundimin e këtij procesi, në shqip u shpreh: Mund të them edhe unë që më në fund u bëmë me letra.
Ndërkohë kreu i Kadastrës, Lame tha se është absurde që edhe shtëpitë e Zotit të kenë nevojë për leje dhe legalizim teksa shtoi se “Shqipëria ka edhe marrëzi të tilla që edhe për këto objekte kulti, shteti nuk ishte në gjendje të ju përgjigjej me kohë me dokumentet ndërtimore”.
Artan Lame: Si çdo fundviti që Kadastra zgjedh një monument religjoz për të bërë mbylljen e vitit religjioz në pikëpamjen e regjistrimit dhe legalizimit të pronave të komuniteteve fetare në Shqipëri, sot kemi zgjedhur sërish një kishë, një monument kulture. Jemi në komunën Hajmel në fshatin Nënshat, për të dhënë dokumentat e legalizimit dhe ceritifkatën dhe pronësisë për Manastirin Karmelitan që është një moment kulture goxha i vjetër.
Është dokumenti i legalizimit i Kishës së Sapës Nënshat, këtu është përdorur termi i vjetër mesjetar i Kishës Katolike të Sapës të Kuvendit dhe vetë godinat e Kuvendit. Le të jë jetë ky dokument për qindra vite të tjera në arkivin e dioqezës tuaj.
Më duket absurde që edhe shtëpitë e Zotit në Shqipëri të kenë nevojë për leje dhe legalizim, por kjo është Shqipëria jonë që ka edhe marrëzitë e tilla që edhe për shtëpitë e Zotit, shteti nuk ishte në gjendje që të ju përgjigje në kohë me dokumentat ndërtimorë që të mos ishin ndërtuar pa leje. Le të vëmë shtëpitë e Zotit në rrugë të ligjit që të shërbejë pastaj dhe për shqiptarët e tjerë për t’u vënë në rrugë të ligjit.
Ky Kuvend ka qenë në mesjetë seli e Ipeshkvisë së Sapës, ndërsa në vitet e diktaturës komuniste ka shërbyer si vend internimi për familje të prekura politikisht. Pas tërmetit të vitit 1979, kompleksi doli gati tërësisht i rrënuar, për t’iu përfshirë rindërtimit dhe restaurimit vetëm pas viteve 2000.
/a.r