Në qoftë se një skenar i tillë materializohet, i bie që Blushi të bëhet një Renzi i Shqipërisë. Ky i fundit u bë kryeministër i Italisë pa u votuar nga elektorati italian – ai thjesht fitoi garën brenda partisë së tij, pasi elektorati italian kishte votuar që dikush tjetër të ishte kryeministër (dhe për këtë kritikohet vazhdimisht brenda e jashtë Italisë). Për analogji, Blushi don të bëhet kryeministër i Shqipërisë pas votimit të 100 mijë anëtarëve të PS-së, ndërkohë që 1 milion shqiptarë kanë votuar që kryeministër të jetë Edi Rama.
Në qoftë se Blushi mendon se mund të jetë një kryeminstër më i mirë se Rama, që është në të drejtën e tij ta mendojë, duhet që t’i drejtohet jo vetëm 100 mijë anëtarëve të PS-së, por 1 milion votuesve që votuan Ramën për kryeministër. Me fjalë të tjera, ai duhet të deklarojë publikisht se, në qoftë bëhen zgjedhje brenda partisë dhe i fiton ato, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe në ato zgjedhje pastaj, të mundohet të marrë votat për kryeministër, duke paraqitur një PS të reformuar sipas platformës së tij, një program të ri qeverisës sipas filozofisë së tij, e një listë të re kandidatësh për deputetë të përzgjedhur sipas parimeve të reja që do të propozojë. Vetëm kështu sfida që ai po i bën Ramës nuk do të duket thjesht si një synim për të kapur karrigen e këtij të fundit.
Por ç’i mbetet të bëjë Blushit në qoftë se nuk ka sukses në sfidën e tij për kryetar të PS-së?
Rruga më e ndershme do të ishte ajo e nismës për krijimin e një partie të re, e cila të ketë një platformë të ndryshme nga ajo që po zbaton Rama në qeverisje e në PS – të cilën Blushi po e sulmon praktikisht në çdo pikë të saj. Hapësirë në elektoratin e majtë, në fakt, ka për një parti të tillë. Nga një sondazh që zhvillova para tre muajsh, rezultonte se nga 1 milion votues të mazhorancës, vetëm 750 mijë e vlerësojnë pozitivisht punën e qeverisë në përgjithësi; vetëm 530 mijë e vlersojnë pozitivisht punën e qeverisë në fushën e shëndetsisë; vetëm 550 mijë e vlerësojnë pozitivisht luftën e qeverisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale; vetëm 590 mijë e vlerësojnë pozitivisht punën e qeverisë në fushën e ekonomisë.
Në qoftë se Blushi mendon se përfaqëson zërin e votuesve të pakënaqur të majtë, të tillë ka plot në gjithë Shqipërinë. Dhe ata mund t’ia japin votën një partie të re të iniciuar prej tij. Kuptohet, në qoftë se dështon të zgjidhet kryetar i PS-së…