Pamjet e kamerave të sigurisë tradhtuan Vladimir (Valmir) Kolën, të dyshuarin kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë. News24 ka siguruar dosjen hetimore të Kolës, nga ku rezulton se i dyshuari ka udhëtuar nga Belgjika për në aeroportin e Podgoricës, pak ditë përpara se të kryente krimin.
Ai ka hyrë ilegalisht në Shqipëri, përderisa sipas hetuesve nuk rezulton të jetë i regjistruar në sistemin TIMS.
Burimet konfirmojnë se ai është filmuar në një lokal në Lezhë, teksa ka marrë nga dy shtetasit kosovarë automjetin që përdori në vrasjen e Sanajt, të cilin më pas e dogji në rrugën dytësore Tiranë – Durrës në afërsi të Domjes.
Disa orë përpara krimit të rëndë, Vladimir Kola, është fiksuar nga një tjetër kamera sigurie te “Rruga e Kosovarëve”, ku ka marrë një taksi dhe ka udhëtuar drejt Lezhës.
Natën e krimit, ai ka udhëtuar nga Lezha drejt “Kodrës së Diellit” ku e ka pritur viktimën që të mbërrinte pranë vilës së tij, ku dhe e qëlloi për vdekje atë që e konsideronte si hasmin e tij.
Në të gjitha këto pamje ai shfaqet me të njëjtat rroba, çka sipas hetuesve i shumëkërkuari mbërriti në Shqipëri dhe në kohë rekord organizoi vrasjen e Sanajt mbrëmjen e 30 tetorit dhe më pas u largua jashtë vendit.
Motivi i krimit dyshohet të jetë hakmarrja, pasi 10 vite më parë, vëllai i viktimës, kishte plagosur Gentian Kolën. Familjet Kola dhe Sanaj kishin bërë tentativa për t’u pajtuar pas kësaj ngjarje, por nuk kishin mundur të shuanin konfliktin mes tyre./BW