Nënpresidentja e Parlamentit Europian Eva Kaili, burri i saj dhe dy zyrtarë të tjerë janë arrestuar si pasojë e kontrolleve të bëra nga agjentët e Zyrës Qendrore për Luftën ndaj Korrupsionit në Bruksel. Për pasojë, shteti grek ka ngrirë asetet e nënpresidentes së Parlamentit Evropian.
Sipas deklaratës së pasurisë së saj ish-eurodeputetja e PASOK-ut, ka depozita të konsiderueshme që arrijnë në 460 mijë euro, prej të cilave rreth 400 mijë euro janë në bankën belge KBC. Pjesa tjetër është në llogari të tjera në bankat greke.
Gjithashtu ajo ka deklaruar një apartament 55 m2 në Bruksel të cilin e ka blerë në vitin 2015, si dhe tre apartamente në Selanik, në lagjen Psikiko në kryeqytet si dhe një në qendër të Athinës. Po ashtu ka edhe tre makina.
Të premten në mëngjes dhe më pas gjatë gjithë ditës, më shumë se pesëmbëdhjetë kontrolle u kryen që çuan në arrestimin e Luca Visentini, Sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri si dhe F. G., ish-asistent parlamentar i zotit Panzeri, bashkëpunëtor aktual i lidhur me grupin S&D dhe shoqërues i znj. Eva Kaili e cila është eurodeputete greke që nga viti 2014.Mësohet se të arrestuarit pranuan dhurata dhe vlera të shumta monetare nga vendi pritës i Kupës së Botës, në mënyrë që të mos mbështesnin akuzat se në Katar po shkeleshin të drejtat e njeriut. Këtë të arrestuarit e kanë bërë duke lobuar me organizata të ndryshme.
Arrestimi i saj u bë i mundur pas kontrtolleve në shtëpinë e saj, ku në pranga ra edhe bashkëshorti i nënpresidentes së PE. E vetmja mënyrë për të arrestuar një deputet të mbrojtur nga imuniteti i tij është kapja në flagrancë. Dyshohet se janë kryer akte korrupsioni dhe pastrimi parash nga një bandë e organizuar nga Katari./m.j